Kosovarja shënon zyrtarisht rekord të ri në Guinness me flamurin kombëtar      /Foto: Erkin Keçi /AA / Photo: Foto: Erkin Keçi/AA

Kosovarja Arbnora Fejza-Idrizi ka arritur rekord të ri në Librin Botëror të Rekordeve Guiness me flamurin më të madh në histori të punuar me letër origami.

Flamuri kombëtar shqiptar me ngjyrat kuq e zi është bërë për kosovaren Fejza-Idrizi rekordi i katërt me radhë që ajo ka hyrë në Librin Botëror të Rekordeve.

Pas konfirmimit të arritjes së rekordit ajo përmes një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar të gjithë për mbështetjen e dhënë.

"Mrekulli e re. Sot kam shënuar një tjetër fitore duke vendosur një rekord botëror të ri. Faleminderit për përkrahjen tuaj, ky sukses është juaji po aq sa është imi", ka shkruar Idrizi-Fejza.

Flamurin prej 1.300 metra katrorësh i cili u bë me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor, prej 120 mijë letrave origami, kosovarja e bëri me ndihmë të 70 nxënësve nga medreseja "Alauddin" të cilët palosën rreth 50 mijë letra në formë piramidale, ndërsa rreth 70 mijë letra të tjera ajo i bëri vetë dhe me ndihmën e disa familjarëve të saj.

Me artin e letrës origami, Arbnora Fejza-Idrizi ka hyrë në librin Guinness për herë të parë në vitin 2018 me lulen më të madhe në botë prej 8,7 metrash.

Për herë të dytë, ajo u bë pjesë e librit të rekordeve në vitin 2019 me vazon më të madhe prej letre, me një lartësi 2,73 metra dhe gjerësi 2,38 metra, në të cilën paraqiti në miniaturë flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa, për herë të tretë, pjesë e rekordit botëror me artin origami u bë me flamurin shtetëror të Kosovës në përmasa prej 1.216 metrash katrorë.

Arti origami ka lindur në Japoni, ndërsa nga ana kuptimore, "ori" do të thotë palosje dhe "gami" letër. Qëllimi i këtij arti është të transformohet një fletë e sheshtë katrore prej letre në një skulpturë të përfunduar nëpërmjet teknikave të palosjes së saj. Praktikuesit modernë të origamit evitojnë përgjithësisht përdorimin e prerjeve, ngjitësve ose shënimeve mbi letër.

AA