Diskriminimi ndaj myslimanëve në Francë rrjedh nga kolonializmi, tha në një prononcim për Anadolun kreu i kërkimit në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, Francois Burgat.
Diskursi orientalist në vitet e fundit në Francë, sipas Brugat, ka ndikuar në pikëpamjen e arabëve, duke çuar në diskriminim ndaj myslimanëve.
Ai beson se perspektiva orientaliste përdoret gjerësisht në Perëndim, si dhe nga udhëheqës autoritarë në vende të tjera, përfshirë Izraelin.
“Komentet orientaliste inkurajojnë islamofobinë. Orientalizmi dhe islamofobia janë të lidhura ngushtë. Refuzimi i të tjerëve rrjedh nga injoranca e tyre. Unë nuk mendoj se refuzimi i arabëve dhe myslimanëve në Francë vjen nga konflikti midis Islamit, Krishterimit dhe dogmave të tjera fetare... Unë mendoj se më tepër vjen nga historia koloniale franceze”, tha Burgat.
Ai tha gjithashtu se brezi mysliman i lindur në Francë nuk e pranon mentalitetin kolonial dhe se pasardhësit e njerëzve të kolonizuar tani mund të ngrenë zërin efektiv.
Rritja e dukshmërisë së myslimanëve dhe hapja e qendrave islamike në kryeqytetet evropiane mund të kontribuojë pozitivisht në kontaktin me publikun, sipas Burgat.
“Diskursi anti-emigrant ose islamofobik është shumë më i fortë në rajonet ku emigrantët dhe myslimanët janë më pak të pranishëm. Njeriu nuk e urren ose nuk i frikësohet në mënyrë të palogjikshme dikujt që takon çdo ditë. Kjo është arsyeja pse prania e aktorëve unifikues myslimanë është një element pozitiv”, përfundoi Burgat.