Autoritetet e burgjeve të Izraelit po përgatiten të lirojnë qindra palestinezë nga burgjet izraelite sipas një marrëveshjeje të parashikuar për armëpushimin në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se javët e fundit janë zhvilluar diskutime për t’i përditësuar urdhrat ekzekutivë dhe procedurat në lidhje me lirimin e të burgosurve palestinezë.
“Kjo lëvizje bazohet në mësimet e nxjerra nga marrëveshjet e mëparshme, veçanërisht nga marrëveshja e shkëmbimit të nëntorit të vitit 2023”, tha transmetuesi izraelit.
Në muajin nëntor të vitit 2023, Izraeli liroi 240 palestinezë, prej të cilëve 71 gra dhe 169 fëmijë, në këmbim të 81 izraelitëve dhe 24 të huajve të mbajtur në Gaza.
KAN-i tha se autoritetet e burgjeve izraelite janë të shqetësuara për dy sfida të mëdha, respektivisht për trazira të mundshme masive brenda burgjeve dhe festimet nga të burgosurit e liruar.
“Shërbimi i burgut diskutoi disa opsione për të adresuar këto sfida, duke përfshirë vendosjen e njësive speciale, për të siguruar kontrollin mbi çdo shqetësim të mundshëm”, tha transmetuesi.
Shërbimi, sipas transmetuesit, “do të përdorë autobusë të pajisur me xhama të lyer për të mos lejuar që të burgosurit të shihen nga jashtë autobusit, me qëllim për të reduktuar manifestimet e festës”.
Aktualisht, Izraeli mban më shumë se 11 mijë të burgosur palestinezë, ndërkohë vlerësohet se 98 izraelitë mbahen në Gaza. Hamasi ka thënë se shumë pengje izraelite janë vrarë në sulmet ajrore izraelite ndaj Gazës.
Dje, Katari tha se negociatat për armëpushimin në Gaza janë në “detajet e tyre përfundimtare” dhe se shpallja e një marrëveshje është “afër”.
Gjithashtu edhe Hamasi konfirmoi se një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve në Gaza është në “fazat e saj përfundimtare”.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli vazhdon me luftën gjenocidale në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 46.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Në muajin nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për veprimet në enklavën palestineze gjithashtu përballet me çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.