Çavuşoğlu: Kandidatura e Finlandës në NATO mundet veçmas nga Suedia

Çavuşoğlu: Kandidatura e Finlandës në NATO mundet veçmas nga Suedia

Ai shtoi se do të ishte e drejtë të bëhej dallimi midis vendeve problematike dhe më pak problematike.
Çavuşoğlu: Kandidatura e Finlandës në NATO mundet veçmas nga Suedia.    / Foto: AA

Türkiye mund të mbajë një qëndrim të ndryshëm ndaj aplikimit të Finlandës për anëtarësim në NATO në krahasim me rastin e Suedisë, tha të hënën ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.

"Nëse NATO-ja dhe këto vende (Finlanda dhe Suedia) marrin një vendim të tillë, Türkiye beson se ne mund t'i vlerësojmë kërkesat veçmas, por para së gjithash NATO-ja dhe këto vende duhet të vendosin", tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun portugez Joao Gomes Cravinho në kryeqytetin turk në Ankara.

Ai shtoi se do të ishte e drejtë të bëhej dallimi midis vendeve problematike dhe më pak problematike.

Çavuşoğlu më tutje theksoi se ka pasur një bisedë telefonike me kolegun e tij finlandez Pekka Haavista pas deklaratës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për qëndrimin e Ankarasë ndaj përpjekjeve të Finlandës për anëtarësim në NATO.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha të dielën se Türkiye mund t'i përgjigjet "ndryshe" aplikimit të Finlandës për në NATO.

"Ndoshta ne do t'i përgjigjemi ndryshe Finlandës, nëse është e nevojshme. Suedia do të tronditej nëse do t'i përgjigjeshim ndryshe Finlandës. Por, Finlanda nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim," tha Erdoğan.

Ankaraja i ka dhënë Suedisë një listë prej 120 personash për t'i ekstraduar në Türkiye , tha Erdoğan, duke shtuar se "duhet t'i ekstradoni këta terroristë që të mund të futeni në NATO".

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t'u bashkuar me NATO-n majin e kaluar, duke braktisur dekada të mosangazhimit ushtarak, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt 2022.

Megjithatë, Türkiye, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, ka ngritur kundërshtime, duke akuzuar dy shtetet se tolerojnë dhe madje mbështesin organizatat terroriste, duke përfshirë PKK-në dhe organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas përpjekjes për grusht shtet të 15 korrikut, 2016 në Türkiye

Qershorin e kaluar, Türkiye dhe dy shtetet nordike nënshkruan një memorandum në një samit të NATO-s për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në Aleancë.

Në memorandum, Suedia dhe Finlanda ranë dakord të mos ofrojnë mbështetje për YPG/PYD-në dhe FETO-n, për të parandaluar të gjitha aktivitetet e organizatave terroriste, për të ekstraduar të dyshuarit për terrorizëm, për të futur ligje të reja për të ndëshkuar krimet terroriste dhe për të mos zbatuar embargo të armëve ndërmjet tri shteteve.

TRT Balkan / agjencitë