Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu qëndron në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë mortore që do zhvillohet më 27 shtator për ish-kryeministrin Shinzo Abe, i cili humbi jetën si pasojë e një atentati.   Foto: AA

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu vuri në dukje rëndësinë e vendeve si Türkiye, Japonia, Brazili dhe India në botën multipolare dhe tha se sistemi aktual ndërkombëtar nuk arrin t'i përgjigjet problemeve aktuale.

"Ringjallja e Azisë ka ndryshuar ekuilibrin global. Pandemitë, problemet klimatike, migrimet, terrorizmi dhe krizat e energjisë dhe ushqimit janë problemet globale të njerëzimit. Fatkeqësisht, sistemi aktual ndërkombëtar dështon t'u përgjigjet atyre", tha Çavuşoğlu në një konferencë shtypi në Tokio, kryeqyteti i Japonisë.

Ai theksoi se sistemi aktual i hap rrugën konkurrencës dhe jo solidaritetit dhe shtoi se një konkurrencë e tillë është evidente gjatë pandemisë Covid-19, si dhe në lidhje me çështjen e migrimit.

"Në periudha të tilla, aktorët globalë duhet të mbrojnë sensin e përbashkët, dialogun dhe diplomacinë." Türkiye ndjek në mënyrë aktive një politikë të tillë të jashtme”, tha Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu vazhdon kontaktet e tij në Japoni, ku ndodhet për të marrë pjesë në ceremoninë mortore që do zhvillohet më 27 shtator për ish-kryeministrin Shinzo Abe, i cili humbi jetën si pasojë e një atentati.

Ministri Çavuşoğlu u takua me homologun e tij japonez në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë që ndodhet në rajonin Kasumigaseki, në kryeqytetin Tokio.

Në takim, Çavuşoğlu i shprehu ministrit Hayashi ngushëllimet për vdekjen e ish-kryeministrit Abe dhe theksoi se Abe gjatë detyrës së tij kryeministrore ka siguruar një kontribut të madh për zhvillimin e marrëdhënieve Türkiye-Japoni.

Gjatë takimit që zgjati 30 minuta, dy ministrat diskutuan për çështjet e tregtisë Türkiye-Japoni, rritjen e vëllimit të tregtisë dypalëshe, si dhe bashkëpunimin për energjinë dhe industrinë e mbrojtjes.

Ministrat po ashtu shkëmbyen edhe pikëpamjet lidhur me zhvillimet rajonale dhe kryesisht për eksportin e drithit nga Ukraina.

AA