Djegia e Kuranit në Suedi nga Paludan / Foto: Reuters

Lideri i Partisë së ekstremit të djathtë danez "Stram Kurs" (Linja e Rreptë), Rasmus Paludan bëri një tjetër provokim duke djegur Kuranin nën mbrojtjen e policisë përpara një xhamie në Danimarkë.

Paludan, i cili dogji Kuranin para Ambasadës Turke në Stokholm më 21 janar në Suedi, ka kryer të njëjtin provokim këtë herë në Kopenhagë.

Paludan erdhi në fund të namazit të xhumasë në xhaminë e lagjes Dortheavej të Kopenhagës dhe e dogji Kuranin me helmetë në kokë nën mbrojtjen e policisë.

Duke parë myslimanët që dilnin nga namazi i xhumasë, Paludan u përpoq të tërhiqte vëmendjen duke tundur në dorë një material fyes kundër profetit Muhamed. Komuniteti i xhamisë e mbajti gjakftohtësinë ndaj provokatorit dhe të parët e xhematit i këshilluan besimtarët të qëndrojnë larg zonës për të shmangur provokimet.

Policia daneze mbylli rrugën për hyrje dhe dalje ndërsa mori masa të rrepta sigurie rreth xhamisë. Ndërkohë një grup të rinjsh myslimanë, të cilët kishin në duar ujë dhe aparate kundër zjarrit, ishin paralajmëruar gjithashtu nga policia.

Gjatë provokimit të Paludanit, jashtë xhamisë këndoheshin tekbire me altoparlantë. Lideri i ekstremit të djathtë u largua nga zona, ku qëndroi për rreth 40 minuta, sërish nën mbrojtjen e policisë.

Provokim për pakicën myslimane daneze

Halid al-Subeyhi, një vullnetar palestinez i xhamisë, duke folur për Anadolu Agency (AA), u përgjigj se ata janë mësuar me këtë situatë që nuk është hera e parë.

Subeyhi tha se Paludan e ka bërë këtë provokim para shumë xhamive në Danimarkë për më shumë se dy vjet.

"Mesazhi ynë për të është: 'Mos e bëj këtë, kjo nuk është liri e shprehjes. Ky është provokim për pakicën myslimane daneze", tha Al-Subeyhi.

Khalid al-Subeyhi tha se komuniteti mysliman është i kujdesshëm që të mos bjerë në provokime.

"Ai (Paludani) është një njeri i sëmurë. Ai dëshiron të provokojë myslimanët për të tërhequr vëmendjen", tha ai.

Sedat Güzel tha se ka ardhur në rajon për të parë incidentin.

"99 për qind e qytetarëve danezë janë kundër provokimeve të Paludanit", shtoi ai.

Paludan, në llogarinë e tij në rrjetet sociale dje njoftoi se do të djegë Kuranin para një xhamie në Danimarkë, si dhe para ambasadave turke dhe ruse, dhe se autoritetet daneze i kanë dhënë leje.

Djegia e Kuranit të Shenjtë nga Paludani në Suedi

Lideri i Partisë së ekstremit të djathtë danez "Stram Kurs" (Linja e Rreptë), Rasmus Paludan dogji Kuranin para Ambasadës së Türkiyes në Suedi më 21 janar dhe askush nuk u lejua t'i afrohej Paludanit i cili ishte nën mbrojtjen e madhe të policisë.

Lejimi i qeverisë suedeze për djegien e Kuranit nga Paludani është dënuar nga shumë vende islame, veçanërisht nga Türkiye.

Gjithashtu, lideri i lëvizjes Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit (PEGIDA) në Holandë, Edwin Wagensveld, grisi Kuranin në një aksion që e kreu i vetëm në Hagë.

Sulmet ndaj Kuranit në Suedi dhe Holandë u protestuan në shumë vende të botës, veçanërisht në Türkiye.

Türkiye reagoi sot edhe ndaj paralajmërimit për djegien e Kuranit në Danimarkë, duke ftuar në ambasadorin danez për sqarime.

AA