Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Holandës (NSCS) raportoi se ka pasur ndërprerje në shërbimet në mbarë vendin për shkak të defekteve në sistemet kompjuterike të disa zyrave qeveritare dhe se fluturimet nuk mund të kryhen nga Aeroporti i Eindhoven-it.
NSCS-ja, në njoftimin e bërë nga X, theksoi se është vërejtur një mosfunksionim në qendrën e të dhënave dhe kjo situatë ka prekur shumë institucione.
"Aktualisht ka probleme me rrjetet e teknologjisë së informacionit në Ministrinë e Mbrojtjes. Arsyeja nuk dihet ende. Punonjësit po përjetojnë probleme me qasjen dhe në disa raste telefonatat nuk mund të realizohen, duke ndikuar në shërbimet", thuhet në llogarinë X të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërpriten fluturimet
Në një deklaratë të bërë nga llogaria X e Aeroportit e Eindhoven-it bëhet e ditur se trafiku ajror nuk mund të sigurohet në aeroport për shkak të problemeve kompjuterike në Ministrinë e Mbrojtjes.
"Trafiku ajror aktualisht nuk është i mundur në Aeroportin Eindhoven-it", thuhet më tej në deklaratë, duke shtuar se, meqenëse aeroporti përdoret edhe për qëllime ushtarake, sistemi kompjuterik është i lidhur me sistemet në Ministrinë e Mbrojtjes.
Për shkak të ndërprerjes në Aeroportin e Eindhoven-it, Kryqi i Kuq Holandez njoftoi se një ekip emergjence ishte caktuar për të ndihmuar pasagjerët e bllokuar.
Ndërkohë, u raportuan gjithashtu probleme me qasjen në DigiD, platforma për shërbimet digjitale të qeverisë, për shkak të dështimit të marrjes së fjalëkalimeve përmes SMS.