Deputetët australianë: Qeveria duhet të mbështesë GjPN-në kundër Izraelit / Photo: AA

Deputetët australianë i bënë thirrje qeverisë që të mbështesë Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) në hetimin kundër zyrtarëve izraelitë lidhur me sulmet shkatërruese në Gaza.

Në një letër drejtuar kryeministrit australian Anthony Albanese, 26 deputetët theksuan rëndësinë e ruajtjes së integritetit dhe autonomisë së GjNP-së.

Ligjvënësit dënuan përpjekjet për të minuar pavarësinë e GjNP-së, duke përfshirë thirrjet e fundit ndaj Australisë që të tërhiqej nga Statuti i Romës, i cili themeloi gjykatën. Ata theksuan rolin e GjNP-së në çrrënjosjen e mosndëshkimit për vepra të rënda dhe kërkuan veprime vendimtare për të mbështetur përpjekjet e gjykatës.

“Është e domosdoshme që qeveria australiane të ndërmarrë veprime vendimtare për të mbështetur publikisht punën e GjNP-së, si dhe për të denoncuar fuqishëm çdo përpjekje për t'i bërë presion Zyrës së Prokurorit që të tërheqë kërkesën e saj për urdhërarrest”, thuhej në letër.

Më vete, partia e të Gjelbërve Australiane vuri në dyshim nëse avionët luftarakë F-35 që eksportonte Australia ishin përdorur në bombardimet e Gazës.

Zyrtarët qeveritarë, në përgjigje, thanë se F-35 janë në inventarin e mbrojtjes së Izraelit dhe ata nuk janë në gjendje të konfirmojnë përdorimin e tyre.

Më herët, një deputet tjetër bëri thirrje për përfundimin e marrëveshjeve të armëve me Izraelin dhe vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve izraelitë dhe Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF), duke akuzuar qeverinë australiane për bashkëpunim në gjenocidin e palestinezëve.

Nëpunësit publikë australianë kanë dënuar gjithashtu qeverinë e tyre për "bashkëfajësinë" e saj në gjenocidin e palestinezëve, duke kërkuar që Canberra "të ndërpresë menjëherë" të gjitha eksportet ushtarake në Izrael.

AA