Dhuna në familje cilësohet si "krizë kombëtare" nga Kryeministri australian / Photo: AA

Pas protestave të mbajtura kundër dhunës në gjithë vendin, kryeministri i Australisë Anthony Albanese e ka cilësuar dhunën në familje si "krizë kombëtare".

Këto vlerësime nga Albanese erdhën në televizionin "Nine Network", në lidhje me protestat e mbajtura me qëllim tërheqjen e vëmendjes ndaj situatës së grave që kanë humbur jetën për shkak të dhunës në familje në Australi.

Sipas kryeministrit australian, këto protesta janë thirrje për qeverinë për të parandaluar dhunën me bazë gjinore. Albanese theksoi se duhet t'i kushtojnë vëmendje kësaj thirrjeje dhe se "nuk mjafton vetëm krijimi i ndjeshmërisë".

"Fakti që mesatarisht një grua vdes në çdo 4 ditë nga duart e partnerit të saj, është krizë kombëtare", nënvizoi kryeministri australian.

Ndërkaq, Albanese u përball me reagimin e ashpër të protestuesve në një tubim ku ai mori pjesë në Kanberra.

Teksa protestuesit brohoritën kundër kryeministrit Albanese me sloganet "Kaloni në veprim" dhe "Kryeni detyrën tuaj" ata theksuan se kryeministri duhet të parandalojë dhunën dhe të fokusohet mbi kriminelët.

Në Australi gjatë fundjavës në gjithë vendin u mbajtën 17 protesta të ndryshme me qëllimin për të tërhequr vëmendjen mbi dhunën ndaj grave. Thuhet se në protestën e mbajtur në Melburn morën pjesë rreth 15 mijë njerëz.

AA