Ushtria izraelite vazhdoi të bombardojë disa lagje dhe vende në Rripin e Gazës gjatë orëve të para të ditës së premte. Paralelisht me këto sulme forcat izraelite kanë kryer operacione në disa qytete në Bregun Perëndimor.
Një avion izraelit shënjestroi xhaminë Al-Omari në Rripin verior të Gazës, duke çuar në shkatërrimin e plotë të saj, njofton ministria e Brendshme e Gazës.
Agjencia zyrtare e lajmeve WAFA raportoi se sulmet ajrore izraelite kishin në shënjestër kompleksin Al-Zahra Towers në Gazën jugore, i cili u bombardua më shumë se një herë, si dhe vende të tjera pranë lagjeve Al-Baidar, Sheikh Ajlin dhe Tal Al-Hawa.
Ministria po ashtu njoftoi se ushtria izraelite goditi me artileri kampin Bureij në mes të Rripit të Gazës.
WAFA tha se avionët luftarakë izraelitë bombarduan gjithashtu një shtëpi në qytetin Deir al-Balah në mes të Rripit të Gazës, duke rezultuar në të plagosur.
Deri në mbrëmjen e së enjtes, miinistria e Shëndetësisë tha se 3.785 njerëz ishin vrarë dhe më shumë se 12.000 u plagosën në bombardimet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.
Në Bregun Perëndimor, "një forcë e madhe izraelite sulmoi qytetet Ramallah dhe Al-Bireh nga disa fronte" në agim të së premtes, sipas WAFA-s.
Që nga fillimi i së enjtes, ushtria izraelite ka kryer disa operacione ushtarake në Bregun Perëndimor, më së shumti në kampin e refugjatëve Nour al-Shams.
Operacioni izraelit në kamp rezultoi me vdekjen e 12 personave, sipas statistikave të fundit të shpallura nga zyrtarët e kampit.
Kjo e sjell numrin e të vdekurve në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori në 80.