Droni turk ANKA III, i cili ka një strukturë të krahëve delta të zhvilluar nga Industria Turke e Hapësirës Ajrore (TUSAŞ) me burime kombëtare, arriti një tjetër sukses dhe gjuajti me sukses municionin e saj të parë.
Sipas deklaratës së bërë nga TUSAŞ, ANKA III i cili bëri fluturimin e parë më 28 dhjetor 2023, vazhdon fluturimet e tij testuese. Aktivitetet e montimit të municioneve filluan për t'i dhënë ANKA III aftësinë për të mbajtur armë brenda fushës së përdorimit të tij ushtarak. Nën krahët e tij u vendos kompleti udhëzues TEBER-82 i zhvilluar nga ROKETSAN.
ANKA III, i pajisur me kamera elektro-optike Aselflir 500 e prodhuar nga ASELSAN, pas aktiviteteve të testimit fluturues me municion u vendos në veprim për aktivitetin e qitjes.
Mjeti ajror pa pilot ANKA III i cili pas fluturimit të parë ka vazhduar testet me shpejtësi, u ngrit sërish në fluturim pas testit të fluturimit me municion. ANKA III u ngrit nga baza ajrore Mürted në orën 08:30 dhe mbërriti në fushën e qitjes Acıkır. ANKA III qëlloi në objektiv dhe përfundoi me sukses testin e qitjes.
Sipas detajeve në deklaratë, ANKA III i cili ka një motor turbofan dhe një peshë ngritjeje prej afërsisht shtatë tonësh, do të jetë në gjendje të operojë në një lartësi prej rreth 12 kilometrash dhe të arrijë një shpejtësi prej 0,7 mach pas përfundimit të aktiviteteve të testimit. ANKA III do të përdoret për qëllime zbulimi, vëzhgimi dhe inteligjence, si dhe për qëllime sulmi.
Në konfigurimin me municion, sistemi ANKA III do të jetë në gjendje të mbajë 650 kilogramë municion në secilin nga dy stacionet në trup, 650 kilogramë municion në secilin nga stacionet e brendshme të krahëve dhe 100 kilogramë municion në secilin prej stacioneve të jashtme.