Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha se ata i kishin dhënë paralajmërimin e nevojshëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për sulmin ndaj Izraelit.
Amir-Abdollahian njoftoi në llogarinë e tij në rrjetet sociale se kishte folur me kolegët nga Belgjika dhe Holanda.
“Sulmi terrorist i kryer nga regjimi izraelit në godinën e ambasadës iraniane në Damask dhe shkelja e së drejtës ndërkombëtare dhe konventave të Vjenës ishin në rendin e ditës. Unë shpjegova qëndrimet e vendit tonë. Theksova se iu dha një paralajmërim ShBA-së”, tha ai.
Amir-Abdollahian gjithashtu tha se ka diskutuar edhe me kolegun e tij rus Sergej Llavrov për sulmet izraelite në Gaza.
Televizioni shtetëror iranian njoftoi se një sulm me dron në shkallë të gjerë ishte nisur kundër Izraelit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se Irani kishte nisur një sulm ajror ndaj Izraelit dhe konfirmoi se mbështetja e ShBA-së për sigurinë e Izraelit është "e hekurt".