Dy ditë nga armëpushimi, Izraeli pengon hyrjen në fshatrat libanezë        Foto: AA

Ushtria izraelite të enjten paralajmëroi civilët libanezë që të mos iu afrohen 10 fshatrave në Libanin jugor, pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit hyn në ditën e dytë.

Në një deklaratë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee renditi emrat e fshatrave, duke paralajmëruar civilët që të mos kthehen në to "deri në një njoftim tjetër".

Ai i bashkangjiti mesazhit të tij në X një hartë që tregon fshatrat që janë të ndaluar, duke përfshirë fshatrat Sheba, Hebbariyah, Marjaayoun, Yohmor, Baraachit dhe të tjerë.

Adraee paralajmëroi se "kushdo që kalon vijën e vë veten në rrezik".

Marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi herët të mërkurën për t'i dhënë fund më shumë se 14 muajve të luftimeve midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të Linjës Blu në një mënyrë me faza, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në Libanin jugor brenda një periudhe që nuk i kalon 60 ditë.

Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga ShBA-ja dhe Franca. Megjithatë, detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.

Më shumë se 3.800 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

TRT Balkan / agjencitë