Ekonomistët në Davos: Bota në 2023 do të përfshihet nga recesioni.    /Foto: AA

Shumica e ekonomistëve në Forumin Ekonomik Botëror presin një recesion global në vitin 2023, shohin tensionet gjeopolitike që vazhdojnë të formësojnë ekonominë globale dhe parashikojnë shtrëngime të mëtejshme monetare në ShBA dhe Evropë. Këto janë gjetjet kryesore në raportin "Pikëpamjet e ekonomistëve kryesorë", të prezentuar në hapjen e edicionit të 53-të të Forumit Ekonomik Botëror në Davos - Klosters, Zvicër.

“Pothuajse dy të tretat e kryeekonomistëve besojnë se një recesion global ka të ngjarë në vitin 2023, nga të cilat 18% e konsiderojnë atë jashtëzakonisht të mundshme – më shumë se dy herë më shumë se në sondazhin e mëhershëm të kryer në shtator 2022. Një e treta e të anketuarve e konsiderojnë një recesion global si të pamundur këtë vit”, thuhet në raport.

Megjithatë, potencohet se ekziston një konsensus i fortë se perspektivat për rritje në vitin 2023 janë të zymta, veçanërisht në Evropë dhe ShBA. Të gjithë kryeekonomistët e anketuar presin rritje të dobët ose shumë të dobët në 2023 në Evropë, ndërsa 91% presin rritje të dobët ose shumë të dobët në ShBA. Kjo shënon një përkeqësim në muajt e fundit (në kohën e sondazhit të fundit, shifrat përkatëse ishin 86% për Evropën dhe 64% për ShBA-në).

“Në Kinë, pritjet e rritjes janë të polarizuara, me të anketuarit të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis atyre që presin rritje të dobët ose të fortë. Lëvizjet e fundit për të zbutur politikën shumë kufizuese të vendit me zero-COVID pritet të japin një nxitje të rritjes, por mbetet për t'u parë se sa shkatërrues do të jetë ndryshimi i politikave, veçanërisht për sa u përket ndikimeve të tij në shëndet”, thuhet në raport.

Përsa i përket inflacionit, ekonomistët e anektuar shohin ndryshime të konsiderueshme midis rajoneve, me përqindjen që pret inflacion të lartë në vitin 2023, duke filluar nga vetëm 5% për Kinën në 57% për Evropën.

Pas një viti shtrëngimi të ashpër dhe të koordinuar të Bankës Qendrore, kryeekonomistët thanë se presin që qëndrimi i politikës monetare të mbetet konstant në pjesën më të madhe të botës këtë vit. Megjithatë, shumica presin shtrëngim të mëtejshëm në Evropë dhe ShBA (59% dhe 55%, respektivisht). Ata vunë në dukje se viti 2023 ka të ngjarë të përfshijë një akt të vështirë balancimi për politikëbërësit midis shtrëngimit shumë ose shumë pak.

“Me dy të tretat e kryeekonomistëve që presin një recesion mbarëbotëror në vitin 2023, ekonomia globale është në një pozitë të pasigurt. Inflacioni aktual i lartë, rritja e ulët, borxhi i lartë dhe mjedisi i lartë i fragmentimit reduktojnë stimujt për investimet e nevojshme për t'u rikthyer në rritje dhe për të rritur standardet e jetesës për më të cenuarit në botë”, tha Saadia Zahidi, drejtoresh Menaxhuese në Forumin Ekonomik Botëror.

Sipas saj, udhëheqësit duhet të shikojnë përtej krizave të sotme për të investuar në inovacionin e ushqimit dhe të energjisë, arsimin dhe zhvillimin e aftësive dhe në tregjet me potencial të lartë të së nesërmes që krijojnë vende pune.

“Nuk ka kohë për të humbur”, thotë Zahidi.

Ndryshe, në Davos, krahas liderëve të shumtë botëror deri më 20 janar kur pritet të përfundoj Forumi Ekonomik Botëror do të marrin pjesë edhe disa liderë nga Ballkani Perëndimor.

TRT Balkan