Presidenti turk Recep Tayip Erdoğan ka folur sot në telefon me homologun e tij francez Emmanuel Macron për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës.
Drejtoria Turke e Komunikimeve tha se të dy udhëheqësit diskutuan situatën humanitare në rajon për shkak të përshkallëzimit të konfliktit izraelito-palestinez, si dhe përpjekjet dhe hapat e nevojshëm për rivendosjen e paqes.
Erdoğan theksoi se shkelja e të drejtave të njeriut ndaj civilëve të pafajshëm në Gaza është e papranueshme dhe se Türkiye po bën përpjekje për t'u ofruar ndihma atyre.
Shtohet se Erdoğan theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave nga vendet perëndimore për të ulur tensionet dhe për t'u përmbajtur nga hapat që nuk kontribuojnë për paqen.
Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të dëgjojë propozimet e Türkiyes bazuar në një zgjidhje me dy shtete për një zgjidhje të përhershme të konfliktit.
"Nëse trajtohet me ndershmëri, mund të gjendet një zgjidhje që do të sillte lehtësim si për rajonin, ashtu edhe për botën," i tha Erdoğan homologut të tij francez.
Situata në Rripin e Gazës është përshkallëzuar pas sulmeve të së shtunës nga grupi palestinez Hamas në qytetet izraelite.
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, nisi një operacion gjithëpërfshirës të quajtur "Tufani Aksa" të shtunën në mëngjes.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme masive ajrore në Gaza.
Numri i palestinezëve të vdekur nga bombardimet izraelite në Gaza arriti në 1.537, ndërsa 6.612 të plagosur.
Të paktën 1.300 izraelitë janë vrarë dhe 3.300 janë plagosur në sulmet nga Gaza.