Mbushja e tuneleve me ujë deti, ushtria izraelite refuzon të komentojë

Mbushja e tuneleve me ujë deti, ushtria izraelite refuzon të komentojë

Izraeli beson se tunelet e Gazës kanë qenë kyç për operacionet e Hamasit në fushën e betejës.
Mbushja e tuneleve me ujë deti, ushtria izraelite refuzon të komentojë / Foto: AA

Ushtria izraelite ka refuzuar të komentojë mbi raportet se po pompon ujin e detit në një rrjet tunelesh nëntokësore të përdorura nga luftëtarët palestinezë në Rripin e Gazës.

Kur u pyet të mërkurën në mbrëmje në lidhje me raportet e pompimit të ujit në tunelet në enklavë, një zyrtar ushtarak izraelit nuk pranoi të përgjigjet, duke përmendur "moszbulimin e detajeve operacionale".

"Ushtria izraelite ka punuar për vite me radhë rreth opsioneve taktike në lidhje me tunelet dhe ka metoda të ndryshme për t'i neutralizuar ato," tha zyrtari.

Sipas The Wall Street Journal, Izraeli planifikon të pompojë ujin e detit në tunelet e përdorura nga luftëtarët e rezistencës palestineze si pjesë e një strategjie më të gjerë për të shkatërruar sistemin nëntokësor.

Izraeli beson se tunelet kanë qenë kyç për operacionet e Hamasit në fushën e betejës.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite Herzi Halevi i kishte përshkruar më herët raportet për pompimin e ujit të detit në tunelet në Gaza si një "ide të mirë".

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore si hakmarrje për një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Të paktën 18.608 palestinezë janë vrarë dhe 50.594 janë plagosur në sulmin izraelit që atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit është 1.200, ndërsa rreth 139 pengje mbeten në robëri.

AA