Erdoğan: Do ta shkatërrojmë terrorizmin në një mënyrë ose në tjetër / Photo: AA

Presidenti i Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan tha se grupi terrorist PKK/PYD/YPG përbën kërcënim për stabilitetin, zhvillimin dhe paqen e Irakut.

"Do ta shkatërrojmë terrorizmin në një mënyrë ose në tjetër, jemi të vendosur. Nuk do t'u lëmë kurrë hapësirë atyre që punojnë me terrorizmin dhe organizatat terroriste", tha Erdoğan.

Duke folur me gazetarët në aeroplan pas vizitës së tij njëditore në Irak, ai tha se Türkiye ka ofruar ndihmën e saj për zgjidhjen e krizës së ujit që është përkeqësuar në Irak.

Lidhur me sulmin e Izraelit në Gaza, ai tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij nuk do t'i shmangen drejtësisë.

"Do të vazhdojmë të zbulojmë të vërtetën dhe të flasim për vrasjet e Izraelit. Hitleri i kohës - Netanyahu dhe bashkëpunëtorët e tij, nuk do t'i shpëtojnë përgjegjësisë", tha presidenti turk duke shtuar: "Jemi si mish e thua me vëllezërit tanë palestinezë. Ata po dhunohen dhe askush të mos mendojë se ne po flemë rehat".

Presidenti Erdoğan tha se Türkiye ka dërguar rreth 45 mijë tonë ndihma në Gaza dhe do të vazhdojë të ndihmojë "vëllezërit dhe motrat palestineze".

"Do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për një zgjidhje në Gaza. Të gjithë mund ta injorojnë ose ta harrojnë këtë çështje, por ne nuk mund të kemi një qasje të tillë", u shpreh Erdoğan. Lidhur me sulmet e Izraelit ndaj gazetarëve në Gaza, Erdoğan tha se Tel Avivi po shpreh "shqetësimin e tij me të vërtetën" me përpjekjet e tij për të fshirë provat e masakrave dhe gjenocidit.

Erdoğan gjithashtu u shpreh se pushtimi i Gazës nga Izraeli do t'ua hapë derën pushtimeve të tjera, si dhe hapja për vendbanimin e terroristëve izraelitë do t’i bëjë ata më agresivë. Ai tha se nëse bota islame nuk zgjohet nga dridhjet e shkaktuara nga masakrat në Gaza që arrijnë nivelin e gjenocidit, përballet me rrezikun e humbjes së plotë të reflekseve të saj.

AA