Marrëdhëniet në zhvillim të Türkiyes me grupin BRICS nuk janë një alternativë ndaj angazhimeve ekzistuese, tha të hënën presidenti turk.
“Marrëdhëniet tona në zhvillim me BRICS-in nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrsesi një alternativë ndaj angazhimeve tona ekzistuese. Nuk po ndryshojmë kurs. Përkundrazi, ne po përpiqemi të marrim vendin që na takon në sistemin global në ndryshim me një qasje të përqendruar te Türkiye,” tha Recep Tayyip Erdoğan pas një takimi të Kabinetit në kryeqytetin Ankara.
Türkiye merr vendin e saj në të gjitha platformat e tilla si një aleat afatgjatë i NATO-s dhe një vend që kërkon anëtarësim të plotë në BE, shtoi ai.
Ai theksoi se vendi i tij shkon “kudo ku ndodhen interesat e saj dhe zhvillon bashkëpunimin në çdo drejtim që kërkojnë përfitimet e saj.”
Javën e kaluar, Erdoğan mori pjesë në një samit në Rusi të BRICS-it – që përfaqëson Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, plus disa vende të tjera – si një i ftuar i veçantë.
Sulmi terrorist në Ankara
Pas sulmit terrorist të javës së kaluar nga PKK në selinë e Turkish Aerospace Industries (TAI) në kryeqytetin Ankara, që vrau pesë persona dhe plagosi 22 të tjerë, Türkiye ka goditur mbi 470 objektiva dhe ka neutralizuar 213 terroristë, tha presidenti.
Türkiye “e grisi mesazhin” që synonte të përcillej nga sulmi terrorist ndaj firmës mbrojtëse turke, theksoi ai.
Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë "me vendosmëri" hapat përpara në industrinë e mbrojtjes, "që është burim krenarie për vendin tonë në botë."
Në fushatën e saj 40-vjeçare të terrorizmit kundër Türkiyes, PKK-ja – e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja, dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar.