Erdoğan: Izraeli e Irani japin deklarata të ndryshme për tensionet e fundit / Photo: AA

Presidenti i Republikës së Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan tha sot se Izraeli dhe Irani dhanë deklarata të ndryshme në lidhje me sulmin e raportuar izraelit në territorin iranian këtë mëngjes dhe se ka paqartësi rreth rastit.

“Për momentin, Izraeli po thotë një gjë dhe Irani po shpreh pikëpamje të ndryshme, nuk ka deklarata të qarta dhe të arsyeshme për atë që ka ndodhur në të vërtetë”, u tha Erdoğan gazetarëve në Istanbul.

Tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan midis Iranit dhe Izraelit të shtunën pasi Teherani nisi një sulm me dron dhe raketa në përgjigje të një sulmi të mëparshëm izraelit në konsullatën e tij në Siri.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Izraeli kreu një "sulm të kufizuar" në territorin iranian herët në mëngjes. Nuk ka ende asnjë koment zyrtar nga Izraeli.

Presidenti turk Erdoğan kritikoi gjithashtu vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të vënë veton ndaj kandidaturës së Palestinës për anëtarësim të plotë në OKB në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ne pamë se si ShBA-ja qëndroi pranë Izraelit, duke vënë veton ndaj aplikimit të Palestinës për anëtarësim të plotë. Ndërsa të gjithë qëndrojnë me Palestinën. Për fat të keq, ShBA-ja ka treguar pozicionin e saj duke u anuar me Izraelin. Ne nuk prisnim asgjë tjetër, por patëm mundësinë ta shihnim vetë”, tha Erdoğan.

Duke komentuar vizitën e ardhshme të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Ankara, Erdoğan tha se kjo është një lloj vizite rikthimi dhe se do të jetë një kthesë e rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe turko-greke.

TRT Balkan / agjencitë