Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi tij pret ndërtimin e një Sirie të pastruar nga terrori, ku të gjitha grupet fetare, sektare dhe etnike jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe.
Presidenti Erdoğan mbajti një fjalim në seancën e hapjes në takimin e 11-të të samitit të organizatës D-8 në kryeqytetin egjiptian Kajro.
Ai tha se institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe stabilitetin global fatkeqësisht nuk po i përmbushin përgjegjësitë e tyre kundër përleshjeve, krizave dhe luftërave në rritje.
Duke folur për mundësitë që organizata D-8 u siguron bizneseve, ai tha se duhet të përdoren në "mënyrë më efektive mundësitë aktuale të organizatës D-8 në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme".
"Me miratimin e marrëveshjes tregtare preferenciale nga Egjipti, zbatimi i marrëveshjes tani do të jetë e mundur në një shkallë shumë më të gjerë", shtoi ai.
Erdoğan foli edhe për festivalin turk të aviacionit TEKNOFEST.
"Duke përfshirë edhe vendet më pak të zhvilluara në festivalin më të madh në botë të aviacionit TEKNOFEST, ne synojmë të kontribuojmë në drejtësinë dhe zhvillimin global", tha presidenti turk.
Gjatë fjalimit të tij, presidenti Erdoğan njoftoi edhe anëtarësimin e Azerbajxhanit në organizatën D-8.
"Sot jemi më të fuqishëm se dje me anëtarësimin e Azerbajxhanit në organizatën tonë, vend i cili vitet e fundit ka bërë përparim të rëndësishëm", theksoi ai.
Presidenti turk vlerësoi edhe gjendjen aktuale në Siri.
"Populli sirian ka nevojë për unitet dhe të ngrejë në këmbë vendin e tyre të shkatërruar nga lufta. Përpiqemi që të kontribuojmë si fqinj dhe vëllezër të tyre", tha Erdoğan.
"Pritshmëria jonë e sinqertë është ndërtimi i një Sirie të pastruar nga terrori, ku të gjitha grupet fetare, sektare dhe etnike jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe", shtoi ai.
Sot në Kajro mbahet samiti i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik (D-8).
Samiti, i cili ndër të tjera pritet të diskutojë mënyrat për të rritur bashkëpunimin ekonomik midis vendeve anëtare, do të ketë edhe një seancë të posaçme për Palestinën dhe Libanin.
Organizata D-8 u themelua në vitin 1997 në Türkiye, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe social midis vendeve anëtare.
Organizata përfshin Türkiyen, Egjiptin, Nigerinë, Pakistanin, Iranin, Indonezinë, Malajzinë dhe Bangladeshin.