Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se është bërë përparim i dukshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve pa parakushte ndërmjet Türkiyes dhe Armenisë dhe shprehu mbështetjen e sinqertë për vazhdimin e procesit të dialogut.
Drejtoria e Komunikimit e Presidencës së Türkiyes njoftoi se Erdoğan priti kryeministrin armen Nikola Pashinyan në Kullën Turkevi në Nju Jork, ku po qëndron për të marrë pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë takimit u diskutua për normalizimin e marrëdhënieve turko-armene dhe proceset e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Në deklaratë thuhet se Erdoğan deklaroi gjatë takimit se Türkiye mbështet vendosjen e paqes së përhershme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe vendosjen e miqësisë së fortë mes dy vendeve në periudhën e re dhe se përpjekjet për ta bërë të mundur këtë po vazhdojnë.
Türkiye e njohu Armeninë në vitin 1991 pas shpalljes së saj të pavarësisë. Megjithatë, Ankaraja ndërpreu marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Jerevanin në vitin 1993 gjatë Luftës së Parë të Karabakut, e cila filloi me sulmet armene ndaj Azerbajxhanit.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë të Karabakut në vitin 2020, Ankaraja dhe Jerevani së bashku emëruan përfaqësues të posaçëm për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2021.
Pas një sërë takimesh midis ambasadorit turk Serdar Kilic dhe nënkryetarit të Asamblesë Kombëtare të Armenisë Ruben Rubinyan, në shkurt 2022 u rifilluan fluturimet direkte ajrore dhe u ra dakord që të hapej kufiri midis Türkiye dhe Armenisë për shtetasit e vendeve të treta dhe nisja e tregtisë ajrore mes dy vendeve.