Erdoğan në G20: Zgjidhje me 2 shtete për konfliktin Izrael - Palestinë      / Foto: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i bëri thirrje të mërkurën liderëve të Grupit të 20-shit të “marrin iniciativë në realizimin e një zgjidhjeje me dy shtete” për të zgjidhur konfliktin e vazhdueshëm Izrael-Palestinë.

"Tragjedia që po shpaloset në tokat e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza, ka tejkaluar kufijtë e tolerancës së njerëzimit", tha Erdoğan, duke folur në samitin virtual të liderëve të G20-shit.

Türkiye është e gatshme të marrë një rol, përfshirë si garantues, me vendet e tjera në një strukturë të re të mundshme sigurie në konfliktin Izrael-Palestinë, përsëriti ai.

"Asgjë nga ajo që po ndodh (në Gaza) nuk mund të shpjegohet me të drejtën e vetëmbrojtjes. Krimet e luftës janë krime kundër njerëzimit po kryhen qartë atje," shtoi Erdoğan.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit të 7 tetorit, duke vrarë të paktën 14.128 palestinezë, duke përfshirë 5.840 fëmijë dhe 3.920 gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar gjithashtu nga sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.

Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200, sipas shifrave zyrtare.

Të mërkurën herët, Izraeli dhe Hamasi njoftuan një marrëveshje pauze humanitare, e cila përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve.

Sipas marrëveshjes, të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe ShBA-ja, 50 izraelitë të mbajtur nga Hamasi do të lirohen në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, raportojnë mediat izraelite.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një pauzë katër-ditore në luftime dhe hyrjen e 300 kamionëve të ngarkuar me ndihma humanitare, përfshirë karburantin, në Rripin e Gazës.

Ajo lejon një zgjatje të pauzës dhe lirimin e mundshëm të më shumë fëmijëve dhe grave të mbajtur nga të dyja palët.

TRT Balkan / agjencitë