Erdoğan njofton se Somalia dhe Etiopia arritën 'pajtimin historik'        / Foto: AA

Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, beson se marrëveshja e arritur mes Somalisë dhe Etiopisë në Ankara çon në krijimin e një baze solide për bashkëpunim, prosperitet të bazuar në respektin reciprok.

Në kuadër të procesit të zgjidhjes së krizës në marrëdhëniet mes dy shteteve të Afrikës Lindore, Erdogani sot u takua në Pallatin Presidencial në Ankara me presidentin e Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, dhe kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed.

Pas përfundimit të takimit, Erdoğani përshëndeti marrëveshjen e arritur mes dy shteteve afrikane, duke e vlerësuar atë si historike dhe u uroi liderëve dhe popujve të këtyre shteteve.

“Preukopimi ynë kryesor është të sigurojmë paqe dhe stabilitet në këtë cep të rëndësishëm të Afrikës,” tha Erdoğani.

Presidenti turk Erdoğan gjithashtu theksoi se, duke kaluar përtej zemëratës dhe mosmarrëveshjeve, ata kanë bërë hapin e parë drejt një fillimi të ri për paqen dhe bashkëpunimin mes Somalisë dhe Etiopisë.

“Besoj se deklarata e përbashkët e rënë dakord do të vendosë themelet për bashkëpunim, zhvillim ekonomik dhe prosperitet në Somali dhe Etiopi, të bazuar në respekt,” tha Erdoğan.

Liderët e Somalisë dhe Etiopisë falënderuan Erdoganin dhe Republikën e Türkiyes për ndërmjetësimin e suksesshëm në procesin e zgjidhjes së krizës që dy shtetet kishin në lidhje me rajonin e Somalilendit, të cilin Somalia e konsideron pjesë të territorit të saj sovran, ndërsa Etiopia në janar nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për të marrë qasje në portin e Berberës në Detin e Kuq.

Ata njoftuan se do të vazhdojnë bisedimet dhe bashkëpunimin, si dhe projekte të përbashkëta për interesin e tërë rajonit.

Palët në deklaratën e përbashkët të nënshkruar sot në Ankara konfirmuan respektin për integritetin territorial të Somalisë, duke njohur përfitimet potenciale që Etiopia mund të marrë nga qasja e sigurt në det.

“Palët ranë dakord të lënë pas divergjencat e mendimeve dhe çështjet e kontestuara dhe të ecin me vendosmëri drejt prosperitetit të përbashkët,” thuhet në Deklaratën e Etiopisë dhe Somalisë nga Ankara, sipas Drejtorisë për Komunikime të Presidencës së Türkiyes.

Etiopia dhe Somalia në deklaratë theksuan se kanë vendosur të fillojnë negociatat teknike me ndërmjetësimin e Türkiyes deri në fund të shkurtit 2025, dhe t’i përfundojnë ato brenda katër muajsh.

TRT Balkan / agjencitë