Erdoğan përsëriti mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete për Qipron           / Foto: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan përsëriti të shtunën mbështetjen e tij për një zgjidhje me dy shtete për Qipron, duke thënë se injorimi i realitetit në ishullin në Mesdheun lindor nuk çon në asgjë.

"Ne besojmë se një zgjidhje federale nuk është e mundur në Qipro”, deklaroi Erdoğan në shënimin e 50-vjetorit të operacionit paqeruajtës turk qipriot në Republikën Turke të Qipros Veriore (RTQV).

"Në këtë ditë 50 vjet më parë, ushtarët trima turq morën një hap historik për të parandaluar goditjen që supozohej t’i bëhej pavarësisë qipriote turke”, shtoi ai.

Erdoğan theksoi edhe një herë rëndësinë e operacionit të paqes në Qipro.

"Atë ditë, ne i treguam gjithë botës se turqit qipriotë nuk janë vetëm dhe nuk do të lihen kurrë vetëm”, tha ai.

Erdoğan shprehu gjithashtu vullnetin e Ankarasë për të negociuar, diskutuar dhe më në fund për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe zgjidhje në ishull.

Ai vuri në dukje se pala greke qipriote ka treguar qartë se nuk ka ndërmend të ndajë pushtetin politik apo burimet natyrore me turqit qipriotë në ishull.

"Deri më sot, turqit qipriotë dhe turqit kanë qenë të vetmit aktorë të sinqertë që përpiqen për një zgjidhje, bëjnë sakrifica, marrin rreziqe dhe tregojnë përkushtim”, shtoi presidenti turk, duke vënë në dukje rëndësinë e ruajtjes së paqes.

“Shpresoj se paqja që vendosëm në këto zona 50 vjet më parë do të ruhet dhe nuk do të lejojmë që ajo të kërcënohet”, tha Erdoğan.

Sot, me një sërë aktivitetesh u shënua 50-vjetori i operacionit paqeruajtës të Türkiyes në Qipro, pra ndërhyrjes së forcave të armatosura turke me qëllim mbrojtjen e civilëve turq nga sulmet dhe persekutimet në ishull.

Ishulli i Qipros është në një mosmarrëveshje prej dekadash midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, pavarësisht nga një sërë përpjekjesh diplomatike për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve 1960 i detyruan qipriotët turq të tërhiqen në enklavat për siguri.

Grushti i shtetit grek qipriot i vitit 1974, i cili synonte aneksimin e ishullit në Greqi, çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiyes si shtet garantues për mbrojtjen e turqve qipriotë nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, Republika Turke e Qipros Veriore (RTQV) u krijua në 1983.

Administrata e Qipros Greke u pranua në Bashkimin Evropian (BE) në 2004, në të njëjtin vit kur grekët qipriotë hodhën poshtë një plan të Kombeve të Bashkuara (OKB) për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë.

TRT Balkan / agjencitë