Erdoğan: Të gatshëm të marrim përgjegjësi për të ndalur gjakun në Gaza / Foto: AA / Photo: TRT World

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij është i gatshëm të marrë përgjegjësi për të parandaluar gjakderdhjen në Gaza.

Erdoğan mbajti një fjalim në hapjen e aktivitetit "TRT World Forum 2023" në Istanbul.

"Türkiye është e gatshme të marrë përgjegjësi për të parandaluar gjakderdhjen, shkatërrimin e mëtejshëm. Sot e kuptojmë më mirë se institucionet ndërkombëtare që kanë për detyrë sigurimin e paqes dhe sigurisë globale, nuk kanë aftësi për zgjidhjen e problemeve", tha Erdoğan duke folur në lidhje me luftën që ndodh në Palestinë.

Duke tërhequr vëmendjen në vrasjen e punonjësve të medias në Gaza, presidenti turk rikujtoi se deri më tani në Gaza kanë humbur jetën mbi 70 punonjës të mediave.

"Ku është bota, ku janë ata organet e njohura botërore mediatike? Pse nuk e ngrenë zërin?", pyeti Erdoğan, duke shtuar:

"Kartelet globale të medias po përpiqen ta anashkalojnë brutalitetin në Gaza, ta legjitimojnë masakrën ndaj gazetarëve duke u arsyetuar në Hamasin".

Erdoğan, mes të tjerash në fjalimin e tij, u ndal edhe te vrasja e kameramanit të Anadolut në sulmet ajrore izraelite.

"Ne kemi një dëshmor tek Anadolu. Ku? Në Gaza", tha ai.

Montaser Al-Sawaf, një kameraman i pavarur i Anadolu-t që raportonte nga Gaza, u vra në sulmet ajrore izraelite të premten e kaluar. Sulmi erdhi një javë pasi 45 anëtarë të familjes së tij të gjerë, përfshirë prindërit dhe vëllezërit e tij, u vranë në një sulm të mëparshëm ajror izraelit.

Erdoğan përgëzoi shtëpitë mediatike turke për punën e tyre gjatë kësaj periudhe.

"Përgëzoj TRT-në, Anadolun dhe mediat tona tjera për hapjen e një korridori jetik komunikimi nga Gaza drejt botës duke marrë çdo lloj rreziku", theksoi presidenti turk.

Ai më tej tha se Izraeli, "me gjithë barbarizmin e tij nuk mund të thyej vendosmërinë e banorëve të Gazës për rezistencë", duke theksuar se ai gjithashtu është duke humbur luftën e propagandës në media.

Duke folur për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe mbështetësit e tij, Erdoğan tha: "Këta janë terroristë si ndihmës të terrorizmit dhe do të gjykohen patjetër në Gjykatën e Drejtësisë në Hagës".

"Ashtu siç Millosheviqi u gjykua dhe u dënua, besoj se edhe Netanyahu dhe bashkëkryerësit e tij në fund do të gjykohen dhe dënohen", shtoi Erdoğan.

Ai theksoi se bota do të bëhet e pasigurt nëse vazhdon mizoria e Izraelit.

"Nëse nuk mund të parandalojmë mizorinë e Izraelit, askush në asnjë vend të botës nuk mund të ndihet i sigurt. Sepse Kutia e Pandorës tashmë është hapur".

AA