Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka përsëritur në një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin se Ankaraja është e gatshme ta bëjë pjesën e saj për “zgjidhje paqësore” të konfliktit në Ukrainë.
Telefonata e së premtes adresoi çështjet që “mund të përmirësojnë marrëdhëniet Türkiye-Rusi si dhe zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë”, thuhet në publikimin e Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiye-s në Twitter.
Që nga fillimi i ofenzivës ruse në Ukrainë më 24 shkurt, Türkiye ka luajtur rol kyç në zgjidhjen e problemeve për të zgjidhur konfliktin, me Presidentin Erdoğan që theksonte se diplomacia është rruga që duhet ndjekur.
Si pjesë e këtyre përpjekjeve, Türkiye, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina më 22 korrik në Istanbul nënshkruan një marrëveshje të sponzorizuar nga Ankaraja për vazhdimin e eksportit të grurit nga tri portet ukrainase në Detin e Zi.
Dërgesat janë ndaluar që nga shpërthimi i konfliktit dhe kanë nxitur shqetësimet për krizë ushqimore globale.
Muajin e kaluar, Türkiye ndërmjetësoi gjithashtu shkëmbim të të arrestuarve mes Moskës dhe Kievit.
Ndërsa në mars, Türkiye uli bashkë ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës, në mbledhjen e vetme të një niveli aq të lartë që nga fillimi i konfliktit.