Türkiye dhe Iraku kanë ndërmarrë hapa për të zhvilluar bashkëpunimin, tha sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.
Erdoğan priti kryeministrin irakian Mohammed Shia al-Sudani në Turkevi (Shtëpia Turke) në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të OKB-së në Nju Jork, ku diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, çështje rajonale dhe globale, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.
Presidenti turk i tha al-Sudanit se të dy vendet dhe rajoni do të përfitojnë nga zbatimi i Projektit të Rrugës së Zhvillimit, i cili është një projekt i rëndësishëm i rrugës tregtare që lidh Irakun dhe Türkiyen nëpërmjet hekurudhave, rrugëve, porteve dhe qyteteve.
Erdoğan vuri në dukje se bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit është i rëndësishëm në këtë pikë.
Duke theksuar se solidariteti i komunitetit ndërkombëtar është i nevojshëm për të parandaluar përpjekjet e Izraelit për të përhapur konflikte në rajon, Erdoğan tha se Izraeli “do të mbahet patjetër përgjegjës për masakrat e tij në territoret palestineze”.
Erdoğan vizitoi Irakun në prill për herë të parë në 13 vjet për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, luftën kundër terrorizmit dhe çështjet rajonale, duke përfshirë luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.
Türkiye kishte nënshkruar 26 marrëveshje me Irakun, me Erdoğanin që përshëndeti përcaktimin e PKK-së si “organizatë e ndaluar” në Irak.
Të dy vendet nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në gusht për bashkëpunimin në siguri, atë ushtarak dhe në luftën kundër terrorizmit.