Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha sot se vendi i tij e ka mposhtur “në kuptimin e plotë të fjalës” grupin terrorist DEASH, i cili “kohët e fundit u tentua të riaktivizohej si një aparat për plane rajonale”.
Türkiye ka arritur një “sukses të rëndësishëm në strategjinë e eliminimit me vendosmëri të terrorizmit në burimin e tij”, tha Erdoğan në një kongres të Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi (AK) në provincën Trabzon.
Ai tha se Türkiye ka hequr shtrirjen e grupit terrorist PKK nga kufiri i vendit, duke iu referuar grupit terrorist YPG/PKK, falë operacioneve kundër terrorizmit të kryera nga Ankaraja.
“Ne pa dyshim që do ta arrijmë qëllimin tonë për një Türkiye pa terror, ku konflikti, dhuna dhe paqëndrueshmëria janë tërësisht një gjë e së kaluarës, përmes unitetit dhe solidaritetit”, u zotua ai.
“Epoka e mbështetjes tek armët, dhuna, terrorizmi dhe të luajturit e lojës së ëndrrave të kantonit të mbështetur nga imperialistët tashmë ka marrë fund plotësisht”, tha më tej ai.
“Ne nuk do të lejojmë të ngrihen mure të reja mes nesh dhe vëllezërve dhe motrave tona me të cilët kemi ndarë të njëjtën tokë dhe kemi jetuar krah për krah për një mijë vjet”, shtoi Erdoğan.