Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri libanez Najib Mikati mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimeve dypalëshe dhe në nivel delegacionesh në Kompleksin Presidencial.
Duke shprehur kënaqësinë për vizitën e Kryeministrit Mikati dhe delegacionit të tij në Türkiye, Erdoğan tha se Libani, ashtu si Palestina, e përfundoi vitin përballë kërcënimeve dhe agresionit të Izraelit.
Erdoğan vuri në dukje se, megjithëse sot në Liban është arritur një armëpushim, mbi 1 milion njerëz janë zhvendosur dhe më shumë se 4.000 libanezë janë vrarë nga Izraeli gjatë procesit që çoi në armëpushim. Ai shprehu ngushëllimet e tij për ata që humbën jetën në Liban dhe për familjet e tyre.
Duke theksuar se ky nuk është sulmi i parë i Izraelit ndaj Libanit, Erdoğan kujtoi se Libani kishte përjetuar provokime të ngjashme edhe në të kaluarën.
"Në këtë pikë, të gjithë duhet ta shohin se siguria e Libanit nuk mund të konsiderohet e ndarë nga stabiliteti i rajonit. Rajoni ynë nuk mund të gjejë paqe pa një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme në Gaza. E përsëris sot një të vërtetë që e kam theksuar në çdo rast. Çdokush që beson se mund ta rrisë sigurinë e tij duke derdhur më shumë gjak, duke shkatërruar më shumë ose duke vrarë civilë, është në një gabim të rëndë. Shohim se qeveria izraelite ende nuk e kupton këtë të vërtetë, ose më saktë, nuk dëshiron ta kuptojë. Türkiye ka qëndruar me vendosmëri pas Libanit me të gjitha burimet e saj kundër agresionit izraelit dhe ka vazhduar ndihmën e saj humanitare", vazhdoi fjalën e tij Presidenti turk.
Erdoğan theksoi se gjatë kësaj periudhe kanë qenë në konsultim me Mikatin dhe e përgëzoi atë për lidershipin që ka treguar në këtë periudhë të vështirë për vendin e tij. Ai nënvizoi se konsultimet e tyre sot u kryen në këtë kontekst.
Duke thënë, "Është e domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë presionin ndaj Izraelit për të respektuar plotësisht armëpushimin dhe për të dëmshpërblyer dëmet që ka shkaktuar në Liban," Erdoğan theksoi se Türkiye do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në këtë çështje.
"Një epokë e re ka filluar në Siri"
Duke kujtuar se Türkiye dhe Libani kanë bashkëpunim në një gamë të gjerë fushash, Erdoğan tha se gjatë takimeve diskutuan hapat që mund të ndërmerren për të thelluar këtë bashkëpunim. Ai tha se do të vazhdojnë të kontribuojnë në unitetin dhe paqen e brendshme të popullit libanez dhe të kundërshtojnë çdo përpjekje që synon destabilizimin e Libanit.
Duke vënë në dukje se ata gjithashtu kanë diskutuar gjerësisht zhvillimet në Siri gjatë bisedimeve me Mikatin, Erdoğan vazhdoi: "Një epokë e re ka filluar në Siri. Si dy fqinjë të rëndësishëm të Sirisë, jemi dakord për domosdoshmërinë e veprimit të përbashkët. Stabiliteti i Sirisë është stabiliteti i rajonit. Vështirësitë e shkaktuara nga kaosi në Siri kanë ndikuar në të gjithë rajonin gjatë 13 viteve të fundit. Ashtu si ne, edhe Libani ka hapur krahët pa hezitim për vëllezërit tanë sirianë dhe u ka ofruar strehim. Rindërtimi i Sirisë dhe normalizimi i jetës së përditshme janë përparësitë tona. Krijimi i një administrate të përhershme përfshirëse dhe gjithëpërfshirëse është i rëndësishëm jo vetëm për sirianët, por edhe për ne si vende fqinje. Ruajtja e tërësisë territoriale dhe strukturës unike të Sirisë është gjithashtu një çështje për të cilën vendi ynë nuk do të bëjë asnjë kompromis. Që nga fillimi, kemi deklaruar qartë qëndrimin tonë ndaj ambicieve përçarëse dhe e kemi bërë të ditur këtë me vendosmëri të gjithë botës."
Erdoğan nënvizoi se Türkiye, siç ka bërë që nga fillimi i konfliktit, do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit sirian dhe të ofrojë të gjitha mbështetjet e nevojshme në këtë proces, duke shtuar se si Türkiye, ashtu edhe Libani, kanë si qëllim të përbashkët rindërtimin e Sirisë me një energji të re.
“Natyrisht, suksesi i këtij procesi kërkon mbështetje të fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar. Shpresojmë që të gjithë ata që e dinë se stabiliteti i Sirisë do të thotë stabilitet për rajonin të kontribuojnë në këtë proces dhe këtë e dëshirojmë me sinqeritet", u shpreh kreu i shtetit turk.
Presidenti Erdoğan falënderoi Kryeministrin Mikati për vizitën e tij dhe uroi që konsultimet të sjellin rezultate të dobishme.