Erdoğan: Türkiye vazhdon ta mbështesë stabilitetin e Ballkanit           / Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit të tij në Ankara me homologun malazez, Jakov Millatoviq, tha se vendi i tij vazhdon ta mbështesë stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Erdoğan priti me ceremoni zyrtare Milatoviqin në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin turk, ndërsa pas takimit, dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

“Türkiye vazhdon të mbështesë stabilitetin e Ballkanit, i cili përfaqëson një mozaik të diversitetit kulturor dhe fetar”, tha Erdoğan.

“Mali i Zi është shembull i diversitetit dhe tolerancës fetare dhe kulturore”, shtoi ai.

Erdoğan theksoi se Türkiye dhe Mali i Zi po formojnë një këshill ndërshtetëror për bashkëpunim strategjik.

Presidenti turk foli edhe mbi zhvillimet e fundit në Siri, ku javën e kaluar shpërthyen përleshje midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura të opozitës në zonat rurale të qytetit të madh sirian Halep, duke shënuar një ripërshkallëzim të luftimeve pas një periudhe qetësie relative në luftën civile të Sirisë, e cila shpërtheu në vitin 2011.

“Po i ndjekim nga afër zhvillimet që shpërthyen papritmas në Sirinë fqinje në ditët e fundit”, tha presidenti turk.

Ai theksoi se Türkiye është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për të shuar zjarrin në rajonin e saj, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën.

“Në kuadër të prioriteteve të sigurisë kombëtare të vendit tonë, ndjekim procesin në terren moment pas momenti dhe marrim të gjitha masat paraprake që të mos ndodhin veprime të ndryshe”, shtoi ai.

Erdoğan deklaroi se vendi i tij mbështet integritetin territorial të Sirisë dhe se dëshira më e madhe e Ankarasë është “fundi i destabilitetit duke respektuar kërkesat legjitime të popullit sirian”.

TRT Balkan / agjencitë