Erdoğan: Vizita e Presidentit sirian, fillim i “miqësisë së qëndrueshme”                        Foto: AA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, e ka përshkruar vizitën në Ankara të presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, si një hap “historik” drejt fillimit të një periudhe “miqësie dhe bashkëpunimi të qëndrueshëm”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin al-Sharaa, presidenti Erdoğan theksoi përkushtimin e Türkiyes për integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë. Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e palëkundur të Türkiyes për Sirinë.

“Ne kurrë nuk i kemi braktisur motrat dhe vëllezërit tanë sirianë në kohët e tyre më të vështira dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim ata në këtë periudhë të re”, tha Erdoğan.

Presidenti turk gjithashtu shprehu besim në aftësinë e Sirisë për ta rindërtuar veten.

“Ne nuk kemi dyshim se motrat dhe vëllezërit tanë sirianë, të cilët frymëzojnë rajonin me qëndrueshmërinë e tyre, do të rindërtojnë vendin e tyre”, theksoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se Türkiye është e gatshme të ndihmojë në rindërtimin e qyteteve të shkatërruara siriane, si dhe shtoi se ai beson se përshpejtimi i rimëkëmbjes ekonomike do ta inkurajojë kthimin vullnetar të refugjatëve sirianë.

- Forcimi i lidhjeve dypalëshe

Të dy presidentët diskutuan hapat e përbashkëta për të vendosur sigurinë dhe stabilitetin ekonomik.

Presidenti Erdoğan theksoi avancimin në marrëdhëniet shumëdimensionale, duke përfshirë në fushën e tregtisë, aviacionit civil, energjisë, shëndetit dhe arsimit.

Ai gjithashtu bëri thirrje për mbështetje financiare dhe morale nga bota arabe dhe islame për administratën e re dhe popullin e Sirisë, duke e përshkruar këtë si “vendimtare”.

- Lufta kundër terrorizmit

Më tej, presidenti Erdoğan u zotua për mbështetjen e Türkiyes në luftën e Sirisë kundër grupeve terroriste, duke përfshirë kundër DEASh-it dhe PKK-së.

“Duke vepruar në solidaritet me Sirinë, unë besoj se do të krijojmë plotësisht një klimë të paqes dhe sigurisë në rajonin tonë të përbashkët, të lirë nga terrorizmi”, theksoi ai.

Presidenti sirian al-Sharaa, i cili udhëhoqi grupet kundër regjimit për të larguar regjimin e Bashar al-Asadit në Siri, u shpall president javën e kaluar.

Asadi, udhëheqësi i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u largua në Rusi më 8 dhjetor të vitit të kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

TRT Balkan / agjencitë