Autoritetet suedeze duhet të ndërmarrin hapa në lidhje me djegien e një kopjeje të Kuranit, librit të shenjtë mysliman në Suedi, tha të hënën zëdhënësi i Komisionit Evropian Johannes Bahrke.
Ai në konferencën për shtyp tha se veprime të tilla nuk janë në përputhje me vlerat mbi të cilat bazohet BE-ja.
Bahrke tha se racizmi, ksenofobia, urrejtja racore dhe fetare "nuk kanë vend në Bashkimin Evropian".
Dënimet vazhduan të vërshonin nga e gjithë bota arabe dhe islame për djegien e një kopjeje të Kuranit në kryeqytetin suedez, Stokholm.
Rasmus Paludan, lideri i partisë daneze të ekstremit të djathtë Stram Kurs, dogji një kopje të Kuranit përpara ambasadës turke në Stokholm të shtunën. Paludani u rrethua nga pjesëtarë të shumtë të policisë gjatë djegies së librit të shenjtë islam.
Ligji në Suedi lejon djegien e librave të shenjtë
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billström, argumentoi se legjislacioni i Suedisë i lejon provokimet si djegia e librave të shenjtë.
Billström iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në hyrje të Takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së që u mbajt në Bruksel.
Gazetari i AA-së për provokimin e djegies së Kuranit para ambasadës turke në Stokholm e pyeti ministrin se "A është kjo liri e shprehjes apo thjesht e latë dikë të kryejë krim urrejtjeje?".
"Si qeveri e Suedisë, ne e kemi bërë shumë të qartë se në Suedi ka liri të shprehjes dhe se ne nuk jemi me njerëzit që e kanë kryer këtë akt. Kjo është diçka për të cilën do të marrim përgjegjësinë. Qeveria e Suedisë nuk e përkrah djegien e librave të shenjtë", u përgjigj kryediplomati suedez.
I pyetur po ashtu se "Nëse dikush do të kishte djegur librin e shenjtë të një feje tjetër, a do të ishte kjo ende liri e shprehjes?, Billström tha: "Sipas ligjit të Suedisë, liria e shprehjes e lejon këtë. Por, bërja e kësaj nuk do të thotë se ne qëndrojmë pranë, mbështesim ose miratojmë këtë veprim".
Djegia e Kuranit të Shenjtë në Suedi
Lideri i Partisë "Stram Kurs" (Linja e Rreptë) të ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan, dogji një kopje të Kuranit përpara ambasadës turke në Stokholm të Suedisë më 21 janar dhe askush nuk u lejua t'i afrohej atij gjatë protestës së mbajtur nën mbrojtjen e policisë.
Lejimi i qeverisë së Suedisë për djegien e Kuranit nga Paludan u dënua nga shumë vende islame, përfshirë zyrtarë të qeverisë dhe opozitës në Türkiye.