Dhjetëra mijëra besimtarë palestinezë kryen lutjen e fundit të xhumasë të muajit të shenjtë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa në qytetin e pushtuar të Jerusalemit, pavarësisht kufizimeve izraelite.
Rreth 120.000 myslimanë e kryen namazin, tha për Anadolu Sheikh Azzam al-Khatib, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Vakëfeve Islame në Jerusalem.
E premtja gjithashtu besohet se përkon me Natën e Kadrit, e vetmja natë e vitit kur portat e Xhamisë Al-Aksa mbeten të hapura gjatë gjithë kohës.
Nata e Kadrit është nata më e shenjtë në Islam, kur u shpall për herë të parë Kurani i Shenjtë, dhe bie në një nga netët tek në 10 ditët e fundit të Ramazanit.
Një kontigjent i rëndë i policisë izraelite u vendos në hyrjet, rrethinat dhe rrugicat e qytetit, si dhe në portat e jashtme të Xhamisë Al-Aksa.
Izraeli ka kufizuar aksesin e besimtarëve palestinezë në xhaminë Al-Aksa mes tensioneve në rritje në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të ofensivës së vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për myslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967, dhe aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.