Një fëmijë në Rripin e Gazës që ndodhet nën sulmin intensiv të Izraelit që nga 7 tetori e deri më tani, tha se fëmijët në botë e presin muajin e Ramazanit me zbukurime dhe drita të bukura, ndërsa ata me zjarrin e bombave.
Në Gaza ku vazhdojnë sulmet izraelite dhe bllokada, 2,3 milionë palestinezë kanë hyrë në muajin e Ramazanit nën bombardime dhe uri. Palestinezët, të cilët krahas sulmeve izraelite po luftojnë edhe me uri, po kalojnë periudhën më të vështirë në jetët e tyre.
Në Gaza, ku mungon energjia elektrike dhe uji, është shumë e vështirë të gjesh një kafshatë ushqim për syfyr ose iftar.
"Fëmijët në botë do të zgjohen për syfyr me zhurmën e daulles ndërsa ne me zhurmën e bombardimeve"
Një fëmijë palestinez ka ndarë në median sociale një mesazh me video në të cilën shpjegon vështirësitë me të cilët përballen në muajin Ramazan në Gazën e cila ndodhet nën sulmet e Izraelit.
Ai thekson se sa ndryshe është Ramazani për palestinezët në Gaza e cila është tërhequr në uri dhe është shkatërruar për shkak të sulmeve izraelite, në krahasim me vendet e tjera islame në botë.
"Fëmijët në botë e presin muajin e Ramazanit me zbukurime dhe drita të bukura ndërsa ne në Gaza me zjarrin e bombave. Fëmijët në të gjithë botën do të zgjohen për syfyr me zhurmën e daulles ndërsa ne në Gaza zgjohemi me zhurmën e frikshme të bombardimeve", tha fëmija palestinez. "Ne agjërojmë prej 5 muajsh"
Fëmija palestinez flet edhe për krizën e urisë dhe atë ushqimore që përjetohet në Gaza.
"Ta dini se ne mbajmë agjërim prej 5 muajsh, hamë shumë pak (ushqim) për shkak të mungesës ushqimore në Gaza dhe për këtë arsye mbajtja e agjërimit nuk do të jetë e vështirë për ne", tha ai.
Duke vënë në dukje se myslimanët e tjerë në botë do të falin namazin e teravive duke shkuar lehtësisht nëpër xhami, fëmija palestinez deklaroi se për shkak të sulmeve izraelite një pjesë e madhe e xhamive në Gaza janë shkatërruar dhe se myslimanët në Gaza janë privuar nga kjo e drejtë si për këtë arsye si dhe për shkak të shqetësimit nga sulmet e reja.