Fidan e Blinken folënpër Gazën, pranimin e Suedisë në NATO dhe avionët F-16      / Foto: AA

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Türkiyes Hakan Fidan u takua në Istanbul me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, dhe diskutuan një sërë temash dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë situatën aktuale në Rripin e Gazës, procesin e Ratifikimit nga Türkiye të pranimit të Suedisë në NATO dhe miratimi i ShBA-së për blerjen e avionëve luftarakë F-16 nga Türkiye.

Takimi i dy ministrave dhe më pas takimi i delegacioneve më të gjera të të dyja vendeve u zhvillua në Pallatin Vahdettin të Istanbuş dhe zgjati rreth dy orë.

“Në takim, ministrat diskutuan për luftën dhe krizën humanitare në Gaza, procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, çështjet dypalëshe dhe rajonale”, njofton Ministria e Jashtme turke në rrjetin social X.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi gjithashtu një takim me Blinkenin në Istanbul.

Türkiye është ndalesa e parë e turneut shumëditor të Blinken, gjatë të cilit ai do të vizitojë Greqinë, Jordaninë, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Izraelin, Bregun Perëndimor dhe Egjiptin deri më 11 janar.

Gjatë turneut të tij rajonal, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Blinken do të theksojë mbrojtjen e jetëve të civilëve, lirimin e pengjeve, dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, rivendosjen e shërbimeve bazë dhe parandalimin e shpërnguljes me forcë të palestinezëve nga Gaza.

Ata gjithashtu do të trajtojnë hapa urgjentë për të reduktuar dhunën, për të qetësuar retorikën dhe për të lehtësuar tensionet, duke përfshirë frenimin e sulmeve nga lëvizja Houthi e Jemenit në Detin e Kuq dhe shmangien e përshkallëzimit në Liban.

Departamenti i Shtetit njoftoi gjithashtu se Blinken do të riafirmojë angazhimin e ShBA-së për të punuar me partnerët për paqen në Lindjen e Mesme.

Vizita e tij vjen në mes të një fatkeqësie humanitare në rritje në Rripin e Gazës për shkak të bllokadës së Izraelit dhe sulmeve të rënda që nga 7 tetori.

TRT Balkan / agjencitë