Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se OKB-ja nuk është në gjendje të shfaqë lidershipin për të përballuar sfidat aktuale globale.
Gjatë Samitit të Ardhmes të OKB-së, të mbajtur në Nju Jork, ministri turk theksoi se “si komuniteti ndërkombëtar ashtu edhe OKB-ja po përballen me një provë historike”.
“Fatkeqësisht, OKB-ja nuk ka qenë në gjendje të paraqesë lidershipin që duhet përballë kërcënimeve gjithnjë në rritje ndaj njerëzimit sot”, tha Fidan.
Konferenca e nivelit të lartë, e mbajtur në New York, ka bashkuar liderët botëror për të krijuar një konsensus të ri ndërkombëtar se si të prezantohet dhe të ruhet më mirë e ardhmja.
Ministri Fidan në adresimin e tij tha se nevojitet një strukturë e re efektive, e cila do të prodhojë zgjidhje të përbashkëta për problemet globale.
“Ne kemi nevojë për një model shumëpalësh më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe efektiv. Nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse në OKB, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit”, tha ai.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, prej kohësh ka bërë thirrje për reforma në OKB, duke përdorur shpesh moton “Bota është më e madhe se pesë”, me këtë duke iu referuar anëtarësimit jo-përfaqësues të Këshillit të Sigurimit.
Presidenti Erdoğan ka dënuar gjithashtu mungesën e efektivitetit të OKB-së për t’iu përgjigjur krizave të ndryshme ndërkombëtare, veçanërisht luftës pothuajse 1-vjeçare të Izraelit ndaj Gazës, ku janë vrarë mbi 41 mijë njerëz, kryesisht fëmijë dhe gra, si dhe janë plagosur mbi 95 mijë të tjerë.