Fidan: Pakti Etiopi-Somali reflekton diplomacinë e ndershme të Türkiyes / Photo: AA

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se marrëveshja e fundit midis Etiopisë dhe Somalisë, e ndërmjetësuar nga Türkiye, ishte një "manifestim i fuqishëm" i kuptimit të diplomacisë për zgjidhje "të drejta dhe të qëndrueshme". Në rrjetin social X, ministri turk tha se ata gjatë gjithë procesit "kanë dëgjuar me kujdes ndjeshmëritë, prioritetet dhe pritjet e palëve".

"Me kontributet e të dyja vendeve, ne kemi prodhuar ‘Deklaratën e Ankarasë’. Duke u fokusuar jo në të kaluarën, por në të ardhmen, kjo deklaratë e përbashkët përcakton parimet mbi të cilat të dyja vendet mike do të ndërtojnë bashkëpunimin e tyre", shkroi ai.

Fidan theksoi se marrëveshja shënon një moment historik "të rëndësishëm" drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të gjata midis dy kombeve të Bririt të Afrikës.

Ai gjithashtu tha se Türkiye ishte pioniere e një "hapi historik" që kontribuoi në stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e kontinentit afrikan.

Më tej, shefi i diplomacisë turke falënderoi Somalinë dhe Etiopinë për besimin e tyre në ndërmjetësimin e Ankarasë dhe për "qasjen e tyre konstruktive", duke theksuar se Türkiye do të vazhdojë mbështetjen e saj për ta çuar përpara procesin dhe për të forcuar bashkëpunimin midis palëve.

Dje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, priti në takim në Ankara homologun e tij somalez, Hassan Sheikh Mohamud, dhe kryeministrin etiopian, Abiy Ahmed, para se të tre udhëheqësit ta shpallnin paktin e arritur.

"Ne kemi bërë hapin e parë drejt një fillimi të ri të bazuar në paqe dhe bashkëpunim midis Somalisë dhe Etiopisë", tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media në kryeqytetin turk me liderët somalez dhe etiopian.

Në vitin 1991, Eritrea fitoi pavarësinë nga Etiopia, duke çuar në krijimin e dy kombeve të ndara, ndarje e cila rezultoi që Etiopia të humb qasjen e drejtpërdrejtë në Detin e Kuq dhe në portet kryesore.

Dy vendet e Afrikës Lindore kanë qenë në mosmarrëveshje që nga 1 janari kur Etiopia arriti një marrëveshje me rajonin e shkëputur somalez Somaliland për ta përdorur portin e saj Berbera në Detin e Kuq. Türkiye ka punuar për t'u dhënë fund tensioneve midis dy vendeve.

Megjithatë, pas takimit të tyre me presidentin Erdoğan në Ankara, Somalia dhe Etiopia në një deklaratë të përbashkët afirmuan sovranitetin, unitetin dhe pavarësinë e njëra-tjetrës, të quajtur si Deklarata e Ankarasë.

TRT Balkan / agjencitë