Fotoreporteri palestinez Loay Ayyoub fitoi çmimin kryesor në festivalin "Visa pour l'image" në Perpignan të Francës, një nga konkurset më prestigjioze në botë për fotoreporterët.
Ayyoub u shpërblye për një foto që përshkruan vuajtjet njerëzore në Gaza.
Në një fjalim përmes video-konferencës, ai theksoi se çmimin ua kushtoi "të gjithë gazetarëve dhe palestinezëve që u vranë gjatë kryerjes së detyrave të tyre në Gaza".
Megjithatë, komenti i tij për grupin palestinez Hamas si një "lëvizje palestineze e rezistencës" gjatë fjalimit tërhoqi një reagim nga kryebashkiaku i ekstremit të djathtë të Perpignan, Louis Aliot, i cili bëri thirrje për tërheqjen e çmimit.
Megjithatë, organizatorët e festivalit refuzuan kërkesën e Aliotit.
Jean-Francois Leroy, drejtor i festivalit "Visa pour l'image", e mbrojti vendimin e jurisë në një deklaratë dhënë agjencisë spanjole të lajmeve EFE.
"Juria jonë përbëhet nga redaktorë dhe ekspertë ndërkombëtarë të fotografive. Pavarësisht nëse kam qenë dakord me ta apo jo, gjithmonë kam respektuar vendimet e tyre", tha ai.
Leroy përmendi gjithashtu sfidat e shumta me të cilat përballen gazetarët e huaj në Gaza, duke vënë në dukje se Izraeli ka kufizuar punën e tyre, duke i lënë gazetarët vendas si burimin kryesor të informacionit nga zona e konfliktit.
"Visa pour l'image" është një festival ndërkombëtar për fotoreporterë u krijuar në vitin 1989.
Festivali mbahet çdo vit në Perpignan, nga fundi i gushtit deri në mes të shtatorit për pesëmbëdhjetë ditë, dhe java e tretë është e rezervuar për seminare edukative.