Ish-drejtori i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në Kinë, George Gao, tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që pika e fillimit të pandemisë së COVID-19 të jetë një laborator.
Në një intervistë për BBC Radio 4, Gao bëri vlerësime lidhur me virusin COVID-19.
Gao aktualisht është nënkryetar i Fondacionit Kombëtar të Shkencave Natyrore të Kinës dhe lidhur me mundësinë se COVID-19 mund të jetë përhapur nga një laborator në Wuhan, tha se "Mund të dyshoni nga çdo gjë. Kjo është shkenca. Nuk mund të injoroni asnjë mundësi".
Ai theksoi se ata po zhvillojnë edhe një hetim zyrtar ndaj Institutit të Virologjisë në Wuhan për të cilin diskutohet se është burimi i COVID-19. "Laboratori është inspektuar disa herë nga ekspertë të fushës", shtoi më tej Gao.
Po ashtu, Gao bëri të ditur se nuk i ka shikuar rezultatet e hetimit, por që është raportuar se "është i pastër", ndërkohë vihet në dukje se është hera e parë që nga persona të afërt me qeverinë e Kinës pranohet se laboratori është hetuar.