Në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, janë vrarë 12 palestinezë.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, dhjetë palestinezë, duke përfshirë tre fëmijë, u vranë dhe shumë u plagosën nga bombardimet e dy shtëpive në rajonin Er-Ramida në lindje të Khan Younis.
Në sulmin e ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Abu Hatir në Khan Younis, dy palestinezë u vranë dhe shumë u plagosën.
Ushtria izraelite shënjestroi gjithashtu zonën përreth Spitalit Evropian në Khan Younis.
Izraeli nisi një ofensivë brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 36.400 njerëz, shumica dërrmuese e tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur më shumë se 82.600 të tjerë.
Gati tetë muaj pas fillimit të sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës janë në gërmadha, me ushqim, ujë të pastër dhe ilaçe në mungesë.
Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të pezullojë menjëherë operacionin në Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.