Tendat e palestinezëve të zhvendosur në Rripin e Gazës, ku Izraeli kryen sulme ajrore dhe tokësore, janë përmbytur për shkak të shiut dhe motit të ftohtë në dimër.
Në Rripin e Gazës ku para sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023 jetonin rreth 2,3 milionë palestinezë, gjenocidi po vazhdon më shumë se 15 muaj. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të sulmeve të Izraelit përveç viktimave dhe lëndimeve në Gaza çdo 9 person nga 10 janë të zhvendosur.
Një pjesë e madhe e palestinezëve që janë të zhvendosur në Gaza, detyrohen të jetojnë në tenda të improvizuara për shkak të shkatërrimit të madh të shkaktuar nga sulmet e Izraelit. Me ftohjen e motit edhe kushtet e palestinezëve në Gaza u përkeqësuan.
Palestinezët e zhvendosur dhe të detyruar të jetojnë në tenda në Rripin e Gazës po luftojnë për të mbijetuar nën urinë, etjen dhe motin e ftohtë që shkon deri në ngrirje. Dy milionë palestinezë të zhvendosur që tashmë hyjnë në dimrin e dytë nën sulmet e Izraelit, janë përballë një katastrofe të re humanitare.
Popullata e Gazës, e cila disa herë u zhvendos nga vendet e tyre, qëndrojnë në tenda prej pëlhure dhe najloni të grisura e të papërdorshme. Ata në pamundësi për të përmbushur nevojat elementare të jetesës si veshmbathje, shtretër dhe batanije, theksojnë se nuk flenë gjatë natës për të mbrojtur tendat dhe të afërmit e tyre që shpesh përmbyten nga shiu.
Djalin e tij me aftësi të kufizuara e gjeti brenda ujit kur tenda e tyre u përmbyt
Palestinezi Eyad abu Awde, tenda që ai ngriti në stadiumin "Yarmouk" në qendër të qytetit të Gazës u zhyt nën ujërat e shiut, në deklaratën për Anadolu tregoi se për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që ra nga mbrëmja e së dielës deri ditën e hënë, kanë përjetuar vështirësi.
"Momenti kur gjeta fëmijën tim me aftësi të kufizuara 9-vjeçarin, Ibrahimin, të bllokuar nën ujin e shiut që kishte hyrë në tendë, ishte shumë i vështirë", tha ai.
"Tragjedia që e përjetojmë në çdo moment është shumë e rëndë. Që të përmirësohen kushtet tona të jetesës nevojitet ndërhyrja e gjithë botës", thotë Abu Awde, duke paralajmëruar se në ditët në vijim mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi nëse nuk gjendet zgjidhje.
Babai palestinez tha se tendat e përdorura nuk mbronin nga i ftohti dhe u përmbytën disa herë gjatë shiut.
Frika nga vdekja për shkak të të ftohtit
Yahya Gabun dhe familja e tij, të cilët jetojnë në kampin e refugjatëve Al-Shati në qytetin e Gazës në kushte të vështira pasi u zhvendosën me forcë nga qyteti Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës, janë ndër ata që mundohen të mbijetojnë në një tendë të improvizuar.
Nëna Iman Gabun tha se ata provuan të gjitha mënyrat për t'u mbrojtur nga dimri dhe i ftohti ekstrem, por të gjitha përpjekjet e tyre dështuan.
"Jetonim si njerëz në shtëpinë tonë. Kemi patur batanije të mjaftueshme për t'u mbrojtur nga i ftohti i dimrit si dhe nga shiu, por nuk është e mundur të sigurojmë në një tendë atë që mund të siguronim në shtëpi", tha ajo duke shtuar se tenda e tyre shumë herë është përmbytur.
Më tej, duke treguar se në tendë jetojnë 5 persona, përfshirë foshnjën me emrin Kais që ende nuk i ka mbushur një vjet, Gabun tha se në tendë kanë jetuar në kushte tragjike për shkak të motit të ftohtë dhe mungesës së mjeteve për ngrohje dhe se po përballeshin me vdekjen nga i ftohti.
"Gjëja që më së shumti kam frikë në motin e ftohtë dhe me shi, është biri im Kais i cili lindi nën hijen e sulmeve izraelite dhe që i përjeton të gjitha dhimbjet me ne. Çdo moment e vëzhgoj djalin tim, sepse jam e shqetësuar se do të vdesë nga i ftohti ose do të zhytet në ujë në momentin kur nuk i kushtoj vëmendje", u shpreh ajo.
Gabun u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe të gjitha autoriteteve që të marrin masa urgjente për një jetë më humane.