Gaza: Pacientët po vdesin, shkak mungesa e ilaçeve / Photo: AA

Në një deklaratë të dhënë nga koordinatori i spitaleve fushore në Gaza, Marwan Al-Hams, njoftoi se kushtet shëndetësore në Rripin e Gazës po përkeqësohen gjithnjë e më shumë për shkak të sulmeve izraelite dhe se disa pacientë kanë vdekur për shkak të mungesës së ilaçeve.

Hams theksoi se situata shëndetësore tanimë është katastrofë dhe është duke u përkeqësuar për shkak të sulmeve të pandërprera të Izraelit ndaj spitaleve.

Ai tha se spitali "Nasser" në qytetin Khan Younis është plot me pacientë dhe të plagosur dhe se ka probleme me kanalizimin për shkak se ushtria izraelite shënjestron spitalin dhe rrethinat e tij.

"Ne nuk kemi shtretër të mjaftueshëm për të pranuar më shumë pacientë dhe të plagosur. Stoku mjekësor po mbaron dhe disa pacientë po vdesin për shkak të mungesës së ilaçeve", deklaroi Hams.

Ndërkaq, Hams tërhoqi vëmendjen se nëpër kampet ku qëndrojnë të zhvendosurit janë përhapur sëmundjet infektive, kryesisht hepatiti dhe se rreth spitalit dhe kampit janë shtuar insektet për shkak të ujërave të zeza.

Duke bërë të ditur se uji që arrin në tenda dhe kampe nuk është i përshtatshëm për t'u pirë, Hams tha se një faktor tjetër që po shkatërron pjesën veriore të Rripit të Gazës është uria dhe kequshqyerja.

Më tej, Zyra e qeverisë për mediat në Gaza ka raportuar se Izraeli dhe ShBA-ja kanë penguar që ndihmat të arrijnë tek populli palestinez.

Sipas Zyrës, Rripi i Gazës po shtyhet gjithnjë e më shumë drejt urisë, dhe se 3.500 fëmijë në Rripin e Gazës ku Izraeli vazhdon sulmet nga 7 tetori, janë në rrezik të vdekjes për shkak të kequshqyerjes.

"ShBA-ja dhe Izraeli janë të vendosur të dënojnë me uri 2,4 milionë civilë në Gaza", thuhej në deklaratën me shkrim ku ndër të tjera shtohet se politika e urisë që zbatohej për pacientët dhe fëmijët dhe ndalimi i hyrjes së ushqimit dhe ilaçeve është mënyrë e rrezikshme çnjerëzore.

"Të gjitha këto janë krime të gjenocidit ndaj civilëve në Gaza", theksohej në deklaratën ku u kërkua ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për të ndalur këto krime.

Pika kufitare e Rafahut, e mbyllur që nga 7 maji

Më 7 maj ushtria izraelite nisi sulm tokësor në rajonin Rafah të Gazës dhe njoftoi se ka marrë kontrollin e pikës kufitare me Egjiptin, në anën e Gazës.

Pika kufitare Rafah është e mbyllur që nga 7 maji, kur filloi pushtimi izraelit në rajon.

Mbyllja e pikës kufitare Rafah, e cila është pika e vetme e Rripit të Gazës për botën e jashtme përveç Izraelit, ndikon ndjeshëm në hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza e cila po përballet me mungesë ushqimore.

AA