Gaza, pacientët vdesin nga mungesa e furnizimeve dhe specialistëve / Photo: Reuters

Numri i palestinezëve që vdesin gjatë sulmeve izraelite po rritet për shkak të mungesës së furnizimeve mjekësore dhe mjekëve të specializuar, tha drejtori i spitalit Kamal Adwan në Beit Lahia, Hossam Abu Safiya, në Gazën veriore.

“Situata në veri të Gazës është katastrofike. Bllokada vazhdon dhe gjithnjë e më shumë njerëz të lënduar humbasin çdo ditë për shkak të burimeve të kufizuara dhe mungesës së ekipeve të specializuara kirurgjikale”, tha Hossam Abu Safiya në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Ai shtoi se bllokada në veri të Gazës është vdekjeprurëse, pasi uji, ushqimi, ilaçet dhe ndihmat mjekësore janë bllokuar.

"Spitali ofron kujdes me burime minimale, pasi forcat izraelite kanë mbajtur personel të specializuar mjekësor dhe furnizimet kritike shëndetësore janë të pakta", tha Hossam Abu Safiya.

Forcat izraelite u tërhoqën nga spitali Kamal Adwan më 26 tetor pas një inkursioni 24-orësh, duke lënë pas shkatërrime të shumta dhe viktima palestineze brenda dhe jashtë objektit.

Abu Safiya u bëri thirrje qeverive globale dhe organizatave të të drejtave të njeriut që "të mbështesin sistemin shëndetësor të Gazës duke lehtësuar hyrjen e delegacioneve mjekësore dhe furnizimeve për të ruajtur shërbimet në mes të dhunës së vazhdueshme".

Ushtria ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin verior të Gazës që nga muaji i kaluar, gjoja për të parandaluar rigrupimin e grupit të rezistencës palestineze Hamas. Palestinezët, megjithatë, akuzojnë Izraelin se dëshiron të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët.

Më shumë se 1.800 njerëz janë vrarë në ofensivën e Izraelit në veri të Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Ushqimi dhe ndihmat e tjera janë të kufizuara.

Kujtojmë që Izraeli ka vazhduar ofensivën gjithpërfshirëse shkatërruese kundër Gazës që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi, duke vrarë më shumë se 43.500 njerëz dhe duke e bërë enklavën pothuajse të pabanueshme.

Izraeli po përballet me akuzë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në enklavën e bllokuar.

TRT Balkan / agjencitë