Gaza: Palestinezë të vrarë dhe të plagosur në sulmet izraelite gjatë natës

Gaza: Palestinezë të vrarë dhe të plagosur në sulmet izraelite gjatë natës

Për 247-të ditë rresh Izraeli vazhdon të sulmojë Rripin e Gazës nga ajri, toka dhe deti.
Gaza: Palestinezë të vrarë dhe të plagosur në sulmet izraelite gjatë natës       / Foto: AA

Një numër i madh i palestinezëve u vranë dhe u plagosën në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë natës.

Për 247-të ditë rresh Izraeli vazhdon të sulmojë Rripin e Gazës nga ajri, toka dhe deti.

Siç thonë nga agjencia palestineze e lajmeve WAFA, ushtria izraelite kreu një sulm ajror në shtëpinë e familjes palestineze të Abu Dekka në qytetin Deir al-Belah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, duke theksuar se ka të vdekur dhe të plagosur në këtë sulm.

Avionët luftarakë izraelitë gjithashtu bombarduan shtëpinë e familjes palestineze Al-Bashiti në kampin e refugjatëve Al-Magazi dhe kampin e refugjatëve Al-Burayj në pjesët qendrore të Rripit të Gazës, por ende nuk dihet numri i viktimave.

Shpërthime të forta dhe të shtëna armësh janë dëgjuar edhe në pjesë të ndryshme në Rafah, qytetëz kjo e cila ndodhet në jug të Rripit të Gazës.

Artileria izraelite kreu gjithashtu sulme intensive në lagjet Az-Zeytun, Tel al-Hawa dhe Es-Sabra në qytetin e Gazës.

Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 36.800 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 83.600 janë plagosur.

Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të pezullojë menjëherë operacionin në Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.

TRT Balkan / agjencitë