Banorët e Rripit të Gazës po përgatiten për muajin e Ramazanit, pavarësisht kushteve të vështira dhe çnjerëzore të luftës në të cilat ndodhen, për shkak të sulmeve brutale izraelite. Edhe pse gjithnjë e më shumë po përballen me masakra të përditshme, shkatërrime dhe uri, palestinezët e mirëpresin muajin e shenjtë të myslimanëve me shpresë.
Mohammed Ammar, i cili jeton në qytetin Rafah në Rripin jugor të Gazës, po bën gjithashtu përgatitjet e fundit për ardhjen e muajit të veçantë për myslimanët. Ky palestinez, në një dyqan të vogël, prodhon fenerë të Ramazanit dhe dekorime shumëngjyrëshe, pavarësisht shkatërrimit dhe luftës.
Ammar thekson se dëshiron t'i gëzojë sadopak banorët e Gazës dhe t'ua ndriçojë ditët e Ramazanit me fenerët dekorativë që i bën prej druri dhe në madhësi të ndryshme. Fenerët e Ramazanit janë një nga simbolet më të rëndësishme të muajit të Ramazanit në mesin e palestinezëve.
Ekzistojnë modele të ndryshme të fenerëve të Ramazanit që mund të bëhen prej metali, druri, plastike ose pëlhure. Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor hixhri dhe në të kryhet agjërimi.
Ky muaj dallohet edhe nga fakti se në të filloi botimi i Kuranit, shpallja e fundit e Zotit. Ramazani është muaji më i rëndësishëm për myslimanët e mbarë botës.
I akuzuar për gjenocid, Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë 30.878 dhe duke plagosur 72.402 palestinezë.
Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim që lidhet me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.
Sulmet, megjithatë, vazhdojnë të pandërprera dhe dërgimi i ndihmave mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar katastrofën humanitare.