Numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva vdekjeprurëse e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 30.717, tha Ministria e Shëndetësisë e enklavës.
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza e bëri njoftimin teksa sulmet vdekjeprurëse izraelite në Gaza hyjnë në ditën e 152-të. Sulmet e vazhdueshme kanë plagosur gjithashtu 72.156 palestinezë, shtoi Ministria.
Në njoftim thuhet se, në 24 orët e fundit, ushtria izraelite ka kryer nëntë masakra në gjithë Rripin e Gazës, duke vrarë 86 njerëz dhe duke plagosur 113 të tjerë. "Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë dhe shpëtimtarët nuk mund të arrijnë tek ata", thuhet më tej.
Ministria vuri në dukje se ushtria izraelite deri më tani ka vrarë 348 punonjës mjekësorë dhe ka arrestuar 269 të tjerë, përfshirë drejtorët e spitaleve në Prefekturën Veriore të Rripit të Gazës dhe në Khan Younis në jug.
Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor, në të cilin thuhet se janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.
Rreth 85 për qind e banorëve të Gazës janë zhvendosur nga sulmet izraelite ndërsa të gjithë përballen me pasiguri ushqimore, sipas OKB-së. Qindra mijëra njerëz jetojnë pa strehë dhe më pak se gjysma e kamionëve me ndihma po hyjnë në territor në krahasim me periudhën përpara fillimit të konfliktit.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.