Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të mërkurën për një zgjidhje paqësore të konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
"Për mua, është shumë e rëndësishme që situata të mos përshkallëzohet më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Ne jemi shumë të përkushtuar për një zgjidhje paqësore. Gjermania, Franca dhe Italia janë veçanërisht aktive në këtë drejtim", tha Scholz në një konferencë shtypi me kryeministrin bullgar Nikolai Denko.
Ai shtoi se çështja do të diskutohet të enjten dhe të premten kur liderët nga 47 vende evropiane do të takohen në Granada, Spanjë.
Scholz foli edhe për konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke përshëndetur përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Ai theksoi nevojën urgjente për të vazhduar procesin e paqes mes asaj që ai e quajti një "situatë shumë të vështirë".
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev refuzoi të merrte pjesë në një takim për Karabakun në Granada të Spanjës, ku pritej të merrnin pjesë kryeministri armen Nikol Pashinyan dhe liderët e Bashkimit Evropian, Francës dhe Gjermanisë.
Azerbajxhani insistoi më parë për pjesëmarrjen e Türkiyes në atë takim, por Gjermania dhe Franca e kundërshtuan ashpër atë.
Duke cituar burime nga zyra presidenciale, mediat azerbajxhanase raportojnë se Baku zyrtar tha se nuk e sheh nevojën për të marrë pjesë në negociatat e këtij formati pas deklaratave proarmene të zyrtarëve francezë, vizitës së ministres së Jashtme franceze Catherine Colonna në Armeni, deklarata për dorëzimin e armëve dhe municioneve dhe akuzat e Michel në kurriz të Azerbajxhanit.
"Azerbajxhani nuk ka nevojë për një format të tillë. Baku nuk e sheh nevojën për të diskutuar problemet e rajonit me vendet larg rajonit", thonë të njëjtat burime.
Çdo format në të cilin merr pjesë Franca është i papranueshëm për Azerbajxhanin, theksojnë raportet.