Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se bombardimet e Izraelit ndaj shkollave në Rripin e Gazës janë të papranueshme.
Në një deklaratë nga llogaria e saj në platformën e medias sociale X shkroi: "Vrasja e njerëzve që strehohen nëpër shkollat në Gaza është e papranueshme. Civilët dhe kryesisht fëmijët nuk duhet të lihen para frontit". Në deklaratë, Izraelit i bëhet thirrje për ndalimin e sulmeve kundër shkollave dhe vihet në dukje se duhet të nisin sa më parë hetime rreth bombardimeve.
Komisari i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka thënë se në Gaza janë shënjestruar dy të tretat e shkollave që nga fillimi i sulmeve izraelite më 7 tetor 2023.
Në Gaza ndodheshin 183 shkolla të UNRWA-së. Ishte njoftuar se të paktën 50 persona humbën jetën në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj 4 shkollave. Për shkak të sulmeve izraelite që nga 7 tetori, më shumë se 1,9 milion palestinezë janë zhvendosur në Rripin e Gazës ku jetojnë rreth 2,3 milionë njerëz.
Shumica e këtyre palestinezëve janë zhvendosur disa herë për shkak të migrimit të detyruar nga Izraeli. Disa palestinezë strehohen në shkollat përreth për të mos u larguar nga rajonet e tyre.
Ushtria izraelite e cila vazhdon masakrat në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, shpeshherë godet shkollat dhe kampet ku strehohen palestinezët e zhvendosur.