Hakan Fidan në ShBA, bisedime për armëpushim në Gaza / Foto: AA

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan të premten do të vizitojë kryeqytetin amerikan të Uashingtonit, DC për të zhvilluar takime si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët diplomatike të fokusuar rreth Gazas, tha Ministria e Jashtme.

“Samiti i Jashtëzakonshëm i Përbashkët i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Ligës Arabe, i cili u mbajt më 11 nëntor 2023, mandatoi Ministrat e Jashtëm të Türkiyes, Palestinës, Arabisë Saudite, Indonezisë, Egjiptit, Jordanisë, Katarit dhe Nigerisë që të ndërmarrin veprime ndërkombëtare për të ndaluar luftën në Gaza dhe arritjen e paqes së qëndrueshme”, tha ministria në një komunikatë të enjten.

Ministrat do të takohen me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken dhe do të zhvillojnë gjithashtu bisedime me përfaqësues të grupeve të ekspertëve dhe anëtarë të shtypit.

Të shtunën, delegacioni do të takohet me Ministren e Jashtme kanadeze Melanie Joly në Otavë.

Delegacioni

Gjatë tre javëve të fundit, grupi ka mbajtur takime përkatësisht në Pekin, Moskë, Londër, Paris, Barcelonë dhe Nju Jork. Në takime mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.

Në bisedimet e deritanishme, delegacioni dha mesazhin e fillimit të një procesi zgjidhjeje – që do të kryhet përmes parametrave të OKB-së – për një paqe të përhershme dhe të drejtë pas armëpushimit në Gaza.

Ata gjithashtu bënë thirrje për krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor të pushtuar si kryeqytet, bazuar në kufijtë e vitit 1967.

Delegacioni theksoi se Izraeli nuk mund të sigurojë sigurinë e qytetarëve të tij duke derdhur më shumë gjak dhe se siguria e Izraelit është e mundur vetëm duke bërë paqe me Palestinën.

Izraeli, thuhet në të, ka shkelur qartë të drejtën ndërkombëtare dhe se heshtja e disa vendeve përballë kësaj situate ka tronditur besimin në sistemin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare.

"Të gjitha vendet duhet të distancohen nga qëndrimi i paligjshëm i Izraelit dhe shkelja e vlerave njerëzore. Përndryshe, ata bëhen bashkëpunëtorë të krimit," paralajmëroi delegacioni.

Ai tha gjithashtu se agresioni i Izraelit rrit rrezikun e konfliktit rajonal dhe madje global, dhe theksoi se ka një rritje të veprimeve anti-islamike dhe antisemitike.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Gazën palestineze më 1 dhjetor, pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

Të paktën 17.177 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 46.000 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit ishte 1.200.

AA