Hamasi: Vriten 30 palestinezë rreth spitalit "Kamal Adwan" / Photo: AA

Hamasi njoftoi se të paktën 30 palestinezë u vranë si pasojë e bombardimeve intensive të ushtrisë izraelite përreth spitalit "Kamal Adwan" në veri të Rripit të Gazës. Në deklaratën e Hamasit thuhet se ushtria izraelite bastisi spitalin "Kamal Adwan" në Gaza dhe largoi me forcë pacientët dhe stafin mjekësor.

Në deklaratë thuhet se ushtarët izraelitë arrestuan disa palestinezë dhe se personat e arrestuar janë dërguar në një vend të panjohur. Ushtria izraelite vazhdon të kryejë krime deportimi dhe spastrimi etnik në veri të Rripit të Gazës thuhet në deklaratën ku theksohet se ajo vazhdon të shënjestrojë spitalet në kuadër të këtyre krimeve.

Bastisja në spitalin "Kamal Adwan" ndodhi pas bombardimeve intensive në rajon. "Si pasojë e bombardimeve që shkatërruan ndërtesat e banimit përreth spitalit, më shumë se 30 persona ranë dëshmorë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën dhe u zhdukën", thuhet mes tjerash në deklaratë.

Pasi vihet në dukje se qeveria izraelite prej 14 muajsh kryen gjenocid kundër popullit palestinez, në deklaratën e Hamasit thuhet se qeveria e Tel Avivit e ka kryer gjenocid me mbështetjen politike dhe ushtarake që ka marrë nga ShBA-ja.

Në deklaratë bëhet thirrje për krijimin e një komiteti ndërkombëtar për të hetuar krimet e kryera nga Izraeli kundër spitalit "Kamal Adwan" dhe sistemit të kujdesit shëndetësor në veri të Gazës, ndërsa komunitetit ndërkombëtar i kërkohet të ndërmarrë veprime për t'i ndaluar shkeljet e Izraelit në Rripin e Gazës.

Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 44.580 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra, ndërsa 105.834 persona të tjerë u plagosën.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.

TRT Balkan / agjencitë